E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD përshpejton miratimin e “Amnistisë”

07/04/2011  Grupi parlamentar i Partia Socialiste kërkesë për ndërprerje të punimeve parlamentare

Socialistët isnistojnë në shtyrjen e miratimit të projektligjit: Nisma për qëllime elektorale

Amnistia fiskale do të sjellë përplasjen e radhës mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike në seancën e sotme parlamentare. Kështu, duke qenë se në marrëveshje mes njëra-tjetrës këto dy parti parlamentare pritet të bien dakord që të mbyllin punimet parlamentare deri në përfundim të zgjedhjeve vendore të 8 majit, duhet që të miratohen të gjitha çështjet e parashikuara në kalendar. Por në këtë kontekst, shumica në Kuvend kërkon që të kalojë me procedurë të përshpejtuar miratimin e projektligjit për amnistinë fiskale, gjë e cila ka krijuar jo pak tension mes radhëve të ligjvënësve socialistë, të cilët gjykojnë se një veprim i tillë ndërmerret për efekte elektorale.

Grupi

Partia Socialiste mblodhi dje grupin e saj parlamentar për të diskutuar mbi qëndrimet që do të mbajnë ligjvënësit socialistë në seancën e sotme parlamentare. Ndërkohë që burime pranë këtij takimi bënë me dije se kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, ka informuar deputetet lidhur me diskutimet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve e zhvilluar pak orë përpara se socialistët të mblidhnin grupin e tyre. Kështu, mësohet se gjatë fjalës së tij Ruçi ka bërë me dije se drejtuesit e Kuvendit kanë vendosur thirrjen e komisionit parlamentar të ligjeve ditën e sotme në orën 11:00 për të diskutuar mbi projektligjin për amnistinë fiskale. Mbledhje kjo e parashikuar të zhvillohet në ambientet e Parlamentit. Në këtë mënyrë, duke synuar që një projektligj i tillë të kalohet përpara mbylljes së punimeve parlamentare për shkak të garës elektorale për 8 majin, pritet që ky projektligj të kalojë që sot për miratim në seancë. Megjithatë, që të kalojë e plotë kjo paketë duhet që të marrë 84 vota në Kuvend. Por duket se shumica në Parlament ka menduar zgjidhjen. Kështu, pritet që në mungesë të votave mazhoranca të kalojë për miratim draftin për falje të pjesshme, i cili mund që të miratohet dhe me 71 vota. Por ligjvënësit socialistë e konsiderojnë miratimin e kësaj paketë si një tentativë për t’u përdorur nga qeveria për fushatën elektorale. Sipas tyre, diskutimet për një çështje të tillë duhet të shtrihen në kohë dhe të ketë një debat mjaft të gjerë deri në miratimin e një projektligji për amnistinë fiskale. Ndërkohë që një pretendimi të tillë drejtuesit e mazhorancës qeverisëse i janë kundërpërgjigjur me faktin se ka më shumë se një vit që kanë nisur diskutimet për hartimin e paketës dhe në të njëjtën kohë që kanë nisur këto diskutime opozita është ftuar të jetë pjesë e tyre, ftesë së cilës nuk i është përgjigjur.

Kërkesa

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të kërkojë sot që punimet plenare të Kuvendit të mos zhvillohen gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Në mbledhjen që zhvilloi dje grupi kuvendor socialist vendosi që t’i kërkojë Kuvendit të mbyll punimet deri në përfundim të zgjedhjeve lokale.

Qëndrimi

Opozita vijon të kundërshtojë amnistinë fiskale. Sipas tyre, kjo paketë po përdoret qëllimisht nga qeveria për fushatën elektorale. Për më tepër socialistët vlerësojnë se një nismë e tillë është e nxituar dhe se shoqëria dhe ekonomia shqiptare ende nuk janë gati. Për më tepër që për miratimin e kësaj pakete fiskale duhet të ketë një diskutim më të gjerë, në të cilin duhet të përfshihen edhe grupet e interesit. Madje, socialistët shkojnë dhe më tej kur nënvizojnë se, nëse kjo amnisti aplikohet pa miratimin e opozitës, atëherë qeveria do ta shndërrojë atë në një falje borxhesh e detyrimesh, e kjo do të sjellë në ekonominë tonë vetëm pastrim parash dhe infiltrim në ekonominë informale.

Objekti

Në projektligjin për amnistinë fiskale është i përcaktuar që në krye objekti i tij, duke bërë dhe ndarjen përkatëse për llojet e faljeve. Kështu, ky ligj a) përcakton parimet dhe garancitë, veprimet e subjekteve që përfitojnë nga legalizimi i kapitalit, kompetencat e organeve të administratës publike e të bankave, marrin pjesë në procesin e legalizimit të kapitalit, si dhe veprimtaritë të lidhura me këtë poçes; b) parashikon faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor, kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe kompetencat e organeve të administratave tatimore dhe doganore, të cilat evidentojnë tatimpaguesit/debitorët që përfitojnë nga ky ligj.

Fushata

Kreu i PSV 91 takime në Korçë e Bilisht

Kryetari i PSV 91, Petro Koçi ka marrë pjesë në hapjen e fushatës së kandidatëve socialistë në Bashkitë e Korçës dhe të Bilisht. Kështu, së bashku me kreun e PS-së Edi Rama dhe deputetë të qarkut të Korçës, kryetari Koçi ka qenë pjesë e manifestimeve elektorale të organizuara në këto 2 qytete. Gjatë ditës së djeshme ai ka takuar edhe grupe kandidatësh socialistë për këshilltarë të propozuar nga PSV 91 në rrethet Korçë, Devoll e Pogradec. Në këto takime ai ka folur edhe për rolin e PSV-së në fushatë. “Bashkë me PS-në ne formojmë të majtën socialiste dhe presim një fitore të sigurt. Jemi regjistruar në shumicën e njësive vendore të Republikës me kandidatë socialistë për këshilltarë. Ashtu siç mbështesim Nikon në Korçë e Hakiun në Bilisht, ashtu do të mbështesim çdo kandidat socialist për kryetar Bashkie. Votat për socialistët e PSV-së për këshilltarë janë vota për fitore dhe bashkim. Na duhet të sfidojmë jo vetëm PD-në, por edhe të majtën pëdëiste, që i është bashkangjitur asaj”, ka theksuar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›