“PD politika ekonomike në ndihmë të biznesit”
Përfaqësuesit demokratë takim me tregtarë, Rama kryetar Bashkie favorizonte evazionin e klientëve të tij
Drejtues të pushtetit vendor dhe qendror, kanë vijuar takimet me bizneset e Kryeqytetit.
Eno Bozdo, zëvendësministër i Ekonomisë në bashkëbisedimi me bizneset e Rrugës “Pjetër Budi” në njësinë bashkiake numër 2, garantoi se edhe në mandatin tjetër të qeverisjes së Partisë Demokratike 2013-2017, Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë biznesin dhe përmirësojë klimën e biznesit në vend.
“Në mandatin tonë të ardhshëm 2013-2017 ne do të vazhdojmë të përmirësojmë edhe më tej klimën e biznesit, do të ulim brenda mundësive edhe më tej ngarkesën fiskale, do reduktojmë pengesat burokratike, do të bëjmë që shërbimet që jepen nga shteti kundrejt biznesit dhe sipërmarrjes së lirë të jenë gjithnjë e më cilësore, sepse është e nevojshme që të përmirësohet edhe më tej, por asnjëherë dhe asnjëherë ne nuk do të godasim biznesin, nuk do të terrorizojmë biznesin. Përkundrazi, biznesi është partneri ynë më i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, deklaroi Bozdo
Përballë modelit qeverisës të PD-së që ka ulur taksat, ka luftuar evazionin dhe klientelizmin, na shfaqet sot Edi Rama modeli i të cilit në krye të Bashkisë së Tiranës reflektonte rritje taksash e tatimesh, favorizimin e klientelizmit dhe stimulimin e evazionit fiskal për miqtë e tij.
“Që në vitin 2005-së Partia Demokratike ka treguar me vepra që ka qenë mbështetëse e sipërmarrjes së lirë, mbështetëse e biznesit të madh dhe të vogël. Partia Demokratike përgjysmoi taksat dhe luftoi me sukses evazionin fiskal, sepse ne besojmë që të gjithë duhet të paguajnë taksa, sigurisht të ulëta, por të gjithë sipas mënyrës dhe mundësisë së tyre duhet që të paguajnë taksa për të kontribuar në shoqërinë shqiptare. Kundrejt këtij modeli të suksesshëm ka qenë modeli i mbjellë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës të asaj kohe zoti Rama, i cili trefishoi taksat, trefishoi tarifat, nxiti evazionin fiskal, nxiti klientelizmin. Duhet të ishe Koço Kokdhima, apo dikush i ngjashëm me të që të kishe akses dhe të fitoje tenderët e Bashkisë së Tiranës, duhet të ishe patjetër një ndër dy studiot e arkitekturës së miqve të Ramës që të merrje projekte për Zhvillimin e Qytetit të Tiranës”, theksoi Bozdo.
Zëvendësministri i Ekonomisë Eno Bozdo theksoi se, ndërsa sot Edi Rama po mundohet të kërcënojë e terrorizojë biznesin dhe investitorët gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës miqtë e tij nuk paguanin asnjë taksë ndryshe nga bizneset e vogla e të mesme që sot u “qan hallin”.
“Zoti Kokdhima në vitin 2011-të ishte në borxh me Bashkinë e Tiranës 1.2 milionë dollarë, që me ndihmën e mikut të tij, zotit Rama nuk i paguante. Sot në karrigen e Kryetarit të Partisë Socialiste, zoti Rama ka filluar një fushatë të tërë terrorizimi të biznesit, dje premtoi një gjykatë speciale për të gjithë debitorët, më parë ka premtuar që të prishë kontratat, koncesionet, privatizimet. I ka kërcënuar investitorët që të mos marrin pjesë, që të mos investojnë në ekonominë shqiptare. Kjo klimë terrori që ai tenton të bëjë është e papranueshme, është e papranueshme për Partinë Demokratike, është e papranueshme dhe duhet të jetë e papranueshme edhe për shoqërinë shqiptare”, ka përfunduar Bozdo.