E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e 18-vjeçarit, shokët në protestë

Autori i Lajmit: red.
Katër ditë pas vrasjes së Armir Danajt, 18- vjeçari që u qëllua me thikë në zemër pas një sherri për një femër, shokët e tij zilen e fundit të shkollës e shndërruan në një tubim në kujtim dhe nder të tij. Disa maturantë të shkollës “Ali Demi”, të shoqëruar edhe nga nxënës dhe mësues të tjerë të kësaj shkolle, kanë marshuar nga shkolla deri te banesa e Armir Danajt, të veshur me bluza ku ishte stampuar fotoja e maturantit të vrarë. Shokët e klasës dhe të tjerë bashkëmoshatarë e shokë shkolle të Danajt kanë kërkuar që drejtësia të vihet në vend. Ata kanë kërkuar që përveç autorit të arrestuar, të dënohet maksimalisht dhe nxitësja e krimit, e cila është e nëna e vajzës, për të cilën u konfliktuan dy të rinjtë.
Edhe xhaxhai i Armirit, duke folur para mediave, tha se kërkojnë nga drejtësia të japë dënimim maksimal për përgjegjësit e këtij krimi të rëndë, që preu në mes jetën e 18-vjeçarit Danaj, ndërsa nga ana tjetër u bëri thirrje qytetarëve dhe mbarë opinionit të dënojnë rëndë të tilla krime që mund të prekin familjen e gjithkujt nga papërgjegjshmëria e njerëzve që duhen dënuar. Ndërkohë, i arrestuari është lënë në burg dhe akuzohet për veprën penale të vrasjes me paramendim, ndërsa mamaja e së dashurës së tij, e cila nga të gjitha palët shihet si nxitëse e këtij krimi, merret vazhdimisht nga blutë në pyetje, por ende nuk është marrë asnjë masë ndaj saj.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›