PD publikon dosjen e dy të rinjve që u vranë në ‘90-ën
Bogdani para mediave me dokumentet e eliminimit
Dokumenti i Policisë Kufitare, Sarandë, 22 qershor 1990
Dy të rinj sarandjotë janë dëshmia e gjallë e vrasjeve makabre të diktaturës komuniste, edhe atëherë kur kishte rënë perdja e hekurt dhe vendet ish-komuniste po ndërtonin demokracinë e re. PD-ja për herë të parë publikoi dje një dosje ku tregohet aksioni i cili u kushtoi jetën 2 shqiptarëve në vitin '90, teksa tentonin të kalonin kufirin në mënyrë ilegale. Zëdhënësi demokrat, Gerti Bogdani, tregoi para mediave këtë dokument të Policisë Kufitare të Sarandës të datës 22 qershor 1990 ku tregohet eliminimi i dy të rinjve shqiptarë në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Z. Bogdani iu drejtua me një deklaratë të shoqëruar me disa dokumente bashkëmoshatarëve dhe të rinjve, përmes të cilëve pasqyrohet një prej akteve me pasojë vdekjen e të rinjve nga dhuna e sistemit komunist shqiptar në vitet ‘90. Duke i cilësuar si "një lajm jo të gëzueshëm për t’u dëgjuar, por besoj i domosdoshëm", Bogdani bëri të ditur se "në vitin 1990, pasi kishte rënë perdja e hekurt, kur në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore po fillonin të vendoseshin sistemet demokratike, në Shqipëri vazhdonte dhuna e sistemit komunist, më e egër se kurrë”. Sipas tij, ëndrrat e të rinjve për një jetë më të mirë në Evropën dhe Perëndimin e lirë, ndaleshin në verdiktet e hetuesve apo Sigurimit të Shtetit dhe në telat me gjemba të kufirit të një Shqipërie edhe më të izoluar se më parë. Z. Bogdani citoi nga dokumenti i përgatitur nga Policia Kufitare e Sarandës, më 22 qershor 1990: "Në datën 21 qershor 1990, rreth orës 03, u kapën dy dhe u asgjësuan dy në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në sektorin e pikës kufitare Grazhdan". Më tej, Bogdani vijoi me dokumentin, në të cilën shkruhet: "Ushtari menjëherë qëlloi në ajër me pistoletë shenjëdhënëse për të ndriçuar terrenin, pasi panë se të dy elementet nuk ndaluan, hapën zjarr mbi ta me breshëri, duke bërë asgjësimin e tyre të menjëhershëm". Atë natë qershori, vdiqën dy të rinj, 24 dhe 28 vjeç.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i PD-së iu drejtua me një pyetje kryesocialistit Edi Rama: "A meritojnë ata që "asgjësuan" (siç shkruhet në dosje) mijëra e mijëra qytetarë dhe të rinj të pafajshëm, që ndërprenë ëndrrat e mijëra të rinjve, faji i vetëm i të cilëve ishte dëshira për një jetë më të mirë, të drejtojnë dhe gjykojnë sot fatet e shqiptareve? Partia Demokratike me të drejtë pyet z. Rama, si mund t’u drejtohesh të rinjve sot për t’u bashkuar me një politike të re, kur ju nuk doni të ndaheni nga e vjetra?", - u shpreh z. Gerti Bogdani.