E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton marrëveshjet me komunitetet fetare, u kthehen pronat



Qeveria miratoi dje marrëveshjen mes tri komuniteteve fetare në Shqipëri dhe ia kaloi ato Parlamentit për t’i miratuar. Me miratimin e këtyre marrëveshjeve realizohet një detyrim kushtetues që kishte shteti me komunitetet fetare, por njëkohësisht, këtyre komuniteteve u kthehen pronat. Bëhet fjalë për komunitetin mysliman, atë bektashi dhe ortodoks në Shqipëri. Të tria këtyre komuniteteve përmes një marrëveshjeje të përbashkët u mundësohet kthimi i pronave, ndërkohë që kisha ortodokse nuk do të jetë më e favorizuar krahasuar me komunitetet e tjera fetare në vend. Në këtë rast mësohet të ketë ndërhyrë Ministria e Drejtësisë, e cila ka parë të arsyeshme një marrëveshje tip për të tria komunitetet, ku asnjë palë të mos konsiderohet më e favorizuar në çështjen e pronave sesa tjetra. Shteti u njeh komuniteteve fetare të drejtën e pronës mbi sende të paluajtshme dhe të luajtshme me të gjithë elementët përbërës të tyre. Komunitetet fetare, sipas kësaj marrëveshjeje, rinjihen si trashëgimtar të pronave përkatëse. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shteti trajton me përparësi kërkesat e komuniteteve fetare të Shqipërisë, për kthimin dhe kompensimin e pronave të veta. Për sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore fetare, objektet e kultit që kanë statusin e Monumentit të Kulturës t’u kthehen në pronësi komuniteteve fetare dhe të mbrohen dhe të trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore. Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e komuniteteve fetare. Kurse në nenin 14 është parashikuar detyrimi i komuniteteve fetare për t’u regjistruar në organet tatimore, sikundër çdo person juridik jofitimprurës në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›