E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, Toptan: Shqipëria, faktor për një Ballkan të qetë



Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan, vlerësoi dje rolin dhe kontributin e rëndësishëm që ka Shqipëria dhe faktori shqiptar për një Ballkan të qetë, në paqe dhe të begatë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave, kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan, dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Kryetari i shtetit vuri në dukje disa prej arritjeve kryesore të vendit tonë në kuadër të përmbushjes së aspiratës për integrimin euroatlantik të vendit. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës nënvizoi se edhe zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me Turqinë, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në atë ekonomike, të mbrojtjes, infrastrukturës, energjitikës, turizmit etj. i shërben realizimit të këtij prioriteti të politikës sonë të jashtme. “Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, - vlerësoi Presidenti, - ka dhe bashkëpunimi në rritje midis institucioneve homologe parlamentare dhe të gjitha strukturave të tjera institucionale në dy vendet tona”. Edhe një herë në këtë takim, Presidenti Topi çmoi ratifikimin nga Parlamenti turk të Protokollit të Anëtarësimit në NATO.

Kreu i shtetit shqiptar dhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Këksal Toptan, ndanë të njëjtin mendim për sa i përket rritjes së marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve turke në fusha të ndryshme, si turizmi dhe shkëmbimet kulturore, duke vlerësuar kontributin e deritanishëm të investitorëve turq në infrastrukturë, telekomunikacion, metalurgji etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›