E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD rrëzon të tretin e Gjykatës së Lartë. LSI, kundër

PD “thumbon” Presidentin. Paloka: Muçmataj i ka shërbyer diktaturës

Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve i propozon Kuvendit relacionin për të rrëzuar kandidaturën e Vexhi Muçmatajt për Gjykatën e Lartë. Opozita ka braktisur sallën e Komisionit të Ligjeve, ndërsa Partia Demokratike ka humbur sërish votën e LSI-së për një tjetër dekret të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Nasip Naço ka vlerësuar kandidaturën e Vexhi Muçmatajt, duke e konsideruar atë ikonë të prokurorisë. Por mazhoranca ka votuar relacionin e deputetit Vikor Gumi për të rrëzuar Muçmatajn në votimin në Kuvend ditën e enjte. Mazhoranca nuk ka humbur rastin për të “thumbuar” Presidentin në seancën e fundit të Komisionit të Ligjeve për dekretet e kreut të shtetit në Gjykatën e Lartë.

Relacioni

“Besimi te ky kandidat në integritetin e tij moral dhe profesional është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e Komisionit dhe të Kuvendit për detyrën madhore të Gjykatësit së Lartë. Në relacionin e Komisionit të Ligjeve, pas dëgjesës së një jave më parë, Muçmataj vlerësohet si i pabesueshëm dhe ish-punonjës i strukturave represive të regjimit. “Kandidati ka shërbyer në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist, në rolin e hetuesit dhe ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në hetimin e veprave penale me natyrë politike. Besimi te ky kandidat në integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e komisionit dhe më pas të Kuvendit për detyrën madhore të Gjykatësit të Lartë”, tha gjatë leximit të relacionit deputeti Viktor Gumi.

LSI-ja kundër PD-së

Edhe pse deputetët demokratë në sinkron mes tyre njoftonin votën kundër prokurorit jo transparent, LSI-ja deklaroi se do votojë pro Muçmatajt. “Një prokuror, një figurë goxha e kompletuar, një figurë që me plot gojën mund ta quaj ikonë të prokurorisë shqiptare, një figurë që duhet vlerësuar dhe të mos thuhet me integritet të mangët moral dhe profesional. Kam votuar me bindje dhe ndërgjegje të plotë edhe zonjën Xhoxhaj, edhe zotin Kosta, edhe për zotin çomo kam votuar, dhe kështu do votoj dhe për zotin Muçmataj”, tha deputeti i LSI-së, Nasip Naço.

PD “thumbon” Presidentin

Deputeti Fatos Hoxha deklaroi hapur dje votën kundër dekretit të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë, por në të njëjtën kohë ka falënderuar kreun e shtetit për deklaratën e tij të fundit se do të ushtrojë një kontroll rigoroz për cilëndo propozim që do të vijë nga institucionet në adresë të tij. “Ajo që duhet të na rritë besimin, të na bëjë optimist dhe për të ardhmen është dhe përgëzimi që na jep kreu i shtetit në lidhje me këtë standard të vendosur në arkivin e Parlamentit dhe akoma më shumë çdo lloj kandidature që do t’i propozohet kreut të shtetit do të kalojë në një transparencë ndoshta edhe më të mirë dhe më të hollësishme nga kjo që kemi bërë ne. Por njëkohësisht dua të falënderoj edhe Presidentin në lidhje me vlerësimin që bëri për punën tonë”, tha deputeti Hoxha, edhe pse falënderimeve për kreun e shtetit i bashkëngjiti votën kundër për kandidatin Vexhi Muçmataj për Gjykatën e Lartë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›