Anti-heroi pa helmetë
Sa për përkufizim në letërsi dhe në përgjithësi në artet e rrëfimit, Anti-heroi është një personazh-tip me karakteristika të kundërta me heroin, por që gjithsesi luan një rol protagonist, ku autori e paracakton si subjekt empatie dhe simbioze me publikun. Dhe kush shkon kundër heroit përgjithësisht quhet antagonist, ndonëse anti-heroi nuk është antagonist. Në botën homerike mbizotëronte topika e heroit, i cili ishte një njeri gjysmëzot (Akili, Herkuli) që kishte sukses sepse luftonte për të pasur një “vdekje të bukur” dhe kjo i jepte një famë pavdekshmërie, sikurse po brenda rrëfimit të botës së lashtë gjejmë edhe figura qysh në nisje anti-heroike, si për shembull: Ikari fluturak apo Xhazoni i Medeas, tek “Argonautiche” e të panjohurit Apollonio Rodio. Këtu ndryshon puna, sepse anti-heroi lufton për një objektiv të shpallur, për t’u pasuruar dhe jo për të mbetur në kronikat e luftërave për pushtet gjatë shekujve të pritshëm.
Gjithsesi, ndër klasikët botërorë kemi edhe heronj “humbës” të pashërueshëm, siç është rasti i kavalierit Don Kishot, këtij intelektuali të dashuruar me aksionin, kalorës i gjesteve të paharrueshme përballë vigave a mullinjve me erë. Kësisoj me kalimin e kohës, koncepti i heroit është boshatisur nga vlerat “personazhi-forcë” individuale. Ndofta është një nga arsyet - përveç çmendurisë - që ishte aq i pëlqyer në Shqipëri gjatë diktaturës, siç tregoi edhe Ismail Kadare në fjalimin e tij gjatë marrjes së çmimit “Princi i Asturias”.
Sakaq jashtë burgut monist shqiptar, në Europë mbretëronte ekzistencializmi didaktik, ku gjejnë një anti-hero protagonist në romanit e Kamy-së “I huaji”. Aty anti-heroi merr jetë dhe përkufizimin më të plotë, e mbi të gjitha fiton qytetarinë duke u zhdoganuar si dogma më e re e gjithëpranishme oksidentale. Aq ishte kthyer në dogmë anti-heroi borgjez saqë një këngëtare-pop anti-konformiste, Bonnie Tyler lëshoi në eter britmën “I nedd a hero” - kam nevojë për një hero. Ishte viti 1983.
Ndërsa sot kemi kaluar nga heronjtë e “letër-letërsisë” në “heronjtë virtualë, mas-mediatikë” të tipit agjenti 007, apo heronjtë e kompanisë Marvel (Njeriu Merimangë, 4 Fantastikët, Hulk, X-Men, Iron Man, etj.), të cilët po pushtojnë kinematografinë amerikane. Këta të fundit janë heronj të karikuar me superfuqi dhe të kurdisur me magji, saqë mund të çojnë në shkatërrim të imagjinatës, sepse jetojnë një botë në të cilën asnjëri prej nesh nuk merr pjesë. Dhe për këtë arsye kemi të bëjmë me pseudo-heronj tepër artificialë, sepse janë “abstraktë” ndaj kontureve të realitetit.
Sidoqoftë letërsia e sotme bashkëkohore shpreh vetëm heronjtë margjinalë. Në kontekst kulturor global, i vetmi tip me përmbajtje është anti-heroi, një hero i margjinalizuar dhe i refuzuar nga shoqëria, për të cilin veprimi i tij i vetëm është të njohë se bota globale është e destinuar të falimentojë, dhe aksioni i tij i vetëm është të mbrojë zona të minuara që eksperienca akoma edhe sot refuzon ose nuk e pranon.
Anti-heroi pa helmetë/Ai më pëlqen sepse zgjohet përherë me dhimbje koke të tmerrshme, nuk flet shumë, dhe kur flet i vjen për të vjellë. Ai ka gjithmonë 2-3 centimetra mjekër. Edhe pasi e ka qethur për së prapthi. Më pëlqen sepse vishet gjithmonë mirë, dhe lundron me makinën më të shpifur që gjendet në parking. Ndonjëherë makina e tij është e pastër, por veç sepse sapo e ka vjedhur diku, në Bllok. Anti-heroin e rrahin sa herë të duan, por kur vjen momenti, ai i vret të gjithë. Përveç njërit, i cili i del prapa shpine dhe e godet me qytë TT-je pas koke. Por as agresioni, as uria, as rrebeshet e ngjarjeve ndëshkuese nuk ia kanë humbur atij asnjëherë bukurinë e gdhendjes së titullit. Përkundrazi, ky fat i vështirë ia ka perfeksionuar atij bukurinë gjer në virtuozitet. Ai ri-ngrihet në këmbë, por aty afër nuk ka njeri dhe beson se i kanë bërë një elektroshok për t’i humbur kujtesën. çka është pozitive pasi anti-heroi ka gjithmonë diçka për të harruar. Por nuk ia del dot. Anti-heroi me pëlqen pasi e zgjidh çështjen brenda 24 orëve të caktuara, por që e pushojnë nga puna sepse është bërë i bezdisshëm. Ai e di se ç’është e vërteta, ka gjithmonë diçka tjetër për të bërë. Ai ka gjithmonë sukses në gjërat që nuk i interesojnë, dhe për këtë gjë nuk i plas fare për asnjeri. Ai kupton gjithçka kur nuk duhet më. Ai tymos cigare vetëm kur është me azmë dhe pi raki kur është me cerozë epatike. Natyrisht atij nuk i plas fare. Dhe neve na pëlqen kështu. Ai heton çdo ditë se kush është në të vërtetë, sepse çdo ditë bën veprime që e çojnë të jetë dikë tjetër. Por çdo ditë zgjohet për t’ia filluar nga e para.
...