E Diel, 1 Nëntor 2026

PD s’voton shumicën e kandidaturave të presidentit Topi – s’plotësonin kriteret e kërkuara

15-06-2011 / Gazeta 55

Komisioni i Ligjeve shqyrton relacionet për kandidatët e Gjykatës së Lartë

Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dje, relacionet përkatëse lidhur me seancat dëgjimore për dekretet e Presidentit të Republikës, për emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.     
Gjatë shqyrtimit të relacioneve për dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin si anëtar në Gjykatën e Lartë, u pranuan vetëm dy prej tre emrave të propozuar, konkretisht kandidatët Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj, ndërsa u rrëzua kandidatura e Manjola Bejlerit.
Po ashtu, në mbledhjen e djeshme, komisioni i Ligjeve miratoi edhe projektligjin “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, i cili është i zbatueshëm për funksionet e inspektimit në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore dhe të njësive të qeverisjes vendore. Inspektimi synon mbrojtjen e interesit publik dhe të interesave të ligjshme të personave, fizikë dhe juridikë.
Komisioni i Ligjeve, votoi dje edhe për kandidaturën e Fatmir Hoxhës, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Për tre kandidaturat e tjera kryetari i komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali bëri me dije se nëpërmjet një letre kryetarja e Kuvendit do i drejtohet Presidentit të Republikës për kthimin mbrapsht të tyre.
“Ne vërtet kemi bërë relacione për të katërt dekretet që na kanë ardhur. Në vlerësimin tim, nëqoftëse ne do të vazhdonim të procedonim me të katërt relacionet, sot praktikisht jemi duke neglizhuar paralajmërimin e rëndë që na jep Gjykata Kushtetuese për cenimin që mund t’i vijë parimit të rotacionit nga procedimi ‘un-block’ për 4 kandidaturat. Në këto rrethana do të sugjeroja të nderuar kolegë që ne të mund të dalim si komision me një propozim të tillë, t’i përcjellim Kuvendit vazhdimin e procedurës për kandidaturën që komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë të gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër të përcjellim propozimin për kryetaren e Kuvendit për tre kandidaturat e tjera. këto kandidatura të mund të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe gjykata Kushtetuese që e rikonfirmon”, shpreh Rusmali.
Në seancën parlamentare të ditës së enjte do të votohen edhe dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj, ndërsa kandidatura e Manjola Bejlerit është konsideruar e papërshtatshme nga ana e komisionit të ligjeve. Madje për të këtë të fundit, deputeti Dashnor Sula kërkoi edhe ndjekje penale.
“Nëse një gjyqtare e tillë si zonja Bejleri, dhe raporti që paraqet relatorja dhe ne si komision do ta votojë, duke qenë se paska kaq shkelje do të ishte në nderin tonë të komisionit dhe të relatores që t’i paraqiste një raport dhe ministrit të Drejtësisë që të fillonte procedimin penal ose edhe më tej, ndoshta për ndjekje penale, sepse ajo nuk ka arritur që me performancën e saj të ndryshojë raportet në gjyqësor, plus që paska 40 – 50 për qind prishje të vendimeve. Besoj përbën shkelje disiplinore dhe nuk mund të rrimë indiferent si komision”, tha Sula.
Tre kandidaturat për gjykatën e lartë, dhe një për Kushtetuesen do të kalojnë për votim në Parlament këtë të enjte.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›