“Rama s’dëshiron të numërohet çdo votë, por kërkon të mbysë zërat e qytetarëve”

PD-ja akuzon lidershipin socialist, për sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit ligjor
“Sërish në daljen e tij të radhës, para mediave, Rama, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të numëruar çdo votë të pa numëruar në çdo kuti, formuloi sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit ligjor”.
Ky ka qenë reagimi i selisë blu, përmes zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj, lidhur me qëndrimin e Ramës për vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, duke ripërsëritur qëndrimin se kryesocialisti nuk dëshiron që të numërohet çdo votë, dhe kërkon të mbysë zërat e qytetarëve.
Partia Demokratike deklaroi dje, se Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama formuloi sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit ligjor, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të numëruar çdo votë të pa numëruar në çdo kuti.
“Kryetari i PS-së, që vetëm 4 ditë më parë, sulmoi vendimin e KQZ-së, me akuzën se ishin numëruar votat e hedhura gabim vetëm në 117 kuti dhe jo në të gjitha kutitë e tjera, sot, pas vendimit të Kolegjit që vendosi të numërojë çdo votë të pa numëruar që është hedhur gabim në kutitë e tjera, i kthehet tezës së kanibalizmit”, tha përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.
Sipas saj, “Rama shpalli numërimin e çdo vote në përputhje me Kushtetutën e vendit, si një akt kanibal, dhe kjo vetëm e vetëm se me sa duket votat e numëruara e nxjerrin atë humbës në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Mustafaraj.
Sipas zëdhënëses së PD-së, Edi Rama duhet të përgjigjet para qytetarëve se përse konsideron kanibalizëm numërimin e votave, kur dihet se kanibalizëm është të mos numërohen votat, ndërsa theksoi se Rama shkon kundër thirrjeve të përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura.
“Përse thotë Edi Rama se është kanibalizëm të numërohen votat, kur dihet se kanibalizëm është të mos numërohen votat? Përse shkon Edi Rama kundër thirrjeve të përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura? Pse nuk dëshiron Edi Rama të numërohet çdo votë? Përse kërkon Edi Rama të mbysë zërat e qytetarëve? Përgjigjet janë të qarta. Përse EdiRama nuk na i rrëfen ato?”, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.