E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vendimi i Kolegjit mundëson rishqyrtimin e të gjitha votave në mënyrë të barabartë”

15-06-2011 / Gazeta 55

Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth apel opozitës të marrë pjesë në Kuvend dhe të votojë Gjykatën Administrative

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, përshëndeti dje vendimin më të fundit të Kolegjit Zgjedhor, duke e konsideruar një vendim të mirë, i cili jep “mundësinë për të rishqyrtuar të gjitha votat e qytetarëve në mënyrë të njëtrajtshme dhe të barabartë”.
Komentet e tij, Ambasadori Wollfarth i bëri për mediat nga qyteti i Korçës, në ditën e dytë të vizitës së tij në juglindje të vendit.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka vizituar edhe ambientet e Gjykatë së rrethit gjyqësor të Korçës, prej nga ku ju ka bërë apel forcave politike, për të bashkëpunuar midis tyre, për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative.
Pas një takimi me dyer të mbyllura me kryetarin e gjykatës së Korçës, Admir Belishta, Wollfarth ka theksuar se është e rëndësishme që çdo vend modern të ketë një gjykatë administrative, por sipas tij, për këtë duhet një parlament funksional.
“Është shumë e rëndësishme që të ekzistojë gjykata administrative. Çdo shtet modern ka nevojë për të. Në mënyrë që të ekzistojë gjykata administrative duhet të kemi një parlament plotësisht funksional, si në komisione, ashtu edhe në seancat plenare, sepse, për nga mënyra se si është ndërtuar sistemi në Shqipëri, duhet një shumicë e cilësuar për të miratuar ligjin për gjykatën administrative”, u shpreh Ambasadori Eugen Wollfarth.
Në axhendën e Ambasadorit Eugen Wollfarth në Korçë, ishte edhe një takim i tij me kreun e bashkisë së Korçës, Niko Peleshi.
Në takim midis të tjerash është folur për mundësitë dhe potencialet ekonomike që ka rajoni i Korçës si dhe forcimin e demokracisë lokale dhe reformave në këtë drejtim.
Në përfundim të këtyre takimeve, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, ju përgjigj edhe interesimit të gazetarëve, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim.

A mendoni se forcat kryesore politike do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të miratuar ngritjen e kësaj gjykate?
Shpresoj vërtet dhe i nxis ata të kthehen në parlament dhe t’i përkushtohen plotësisht punës, sepse kjo gjë është një nivel shumë i rëndësishëm shërbimi ndaj qytetarëve dhe miratimi i ligjeve është një pjesë e rëndësishme dhe fillestare e këtij shërbimi.
 
Fakti që partitë politike nuk po bien dakord a mendoni se tregon që ato e përdorin biznesin, për shembull gjatë fushatave zgjedhore?
Unë do të thosha se fushata për zgjedhjet vendore ka përfunduar. Në një të ardhme, ky vend do të ketë zgjedhje të përgjithshme, sigurisht të planifikuara, por e drejta administrative është diçka që nuk ka të bëjë aspak me fushatën. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për të plotësuar themelet e këtij vendi. Një ligj administrativ funksional dhe i plotë dhe një sistem gjyqësor administrativ janë shumë të rëndësishëm për investitorët e huaj, por dhe për ata vendas. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e sistemit të sigurisë kur dikush dëshiron të bëjë biznes, pasi është gjithashtu një shërbim për qytetarët dhe shoqërinë, duke qenë se fillimisht ka të bëjë me vendet e punës. 
 
Pse keni zgjedhur të vizitoni Gjykatën e Korçës dhe cili është impresioni juaj?
Kjo gjykatë dhe qyteti i Korçës kanë një traditë të shkëlqyer. Pak kohë pas pavarësisë, ato nisën një punë shumë të mirë dhe e kanë vazhduar atë thuajse pa ndërprerje. Në këtë moment jemi këtu për të parë arkivin. Unë vetë kam një përshtypje shumë të mirë dhe kjo vizitë në Korçë është pjesë e vizitave të rëndësishme në disa pjesë të vendit për të njohur se si vijojnë zhvillimet në qarqe dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›