PD triumfoi përballë segmenteve më fanatike të nomenklaturës
Zgjedhjet e 22 marsit 1992
Në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit ’92, Partia Demokratike do korrekte një fitore të thellë, duke zënë 92 vende në Kuvend, ndërsa Partia Socialiste (pasi kishte ndërruar emrin nga Partia e Punës), mori vetëm 7 mandate parlamentare, të cilëve iu shtoheshin 31 mandatet e siguruara nga lista proporcionale.
Fitorja e Partisë Demokratike ishte spektakolare, absolute dhe njëherazi shënonte fitoren e parë të një partie opozitare pas 45 viteve regjimi diktatorial. Ky ndryshim epokal në kontekstin politik, s’ishte lehtë i arritshëm pasi mbetjet e fundit të nomenklaturës komuniste ishin “gjallë” me aksionet dhe propagandën e regjimit, për të penguar lirinë e kombit dhe ardhjen e demokracisë edhe pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rrëzimit të diktaturave kriminale në të gjitha vendet e Evropës Lindore.
Vota e lirë e shqiptarëve më 22 mars të 1992-shit tregoi pjekurinë e një kombi evropian i cili edhe pse i shtypur gjatë 45 viteve të luftës së klasave, propagandës dhe agjitacionit, burgosjeve, përndjekjeve dhe ekzekutimeve, ruante fort të memorizuar kultin e lirisë, të drejtave njerëzore dhe demokracinë që gëzonin vendet perëndimore. Prandaj, vota për Partinë Demokratike ishte votë për lirinë e kombit, votë për ndërtimin e demokracisë në një vend ku kishte sunduar lufta e egër e klasave dhe vrasjet masive ndaj ideve liberale dhe demokratike. Ishte votë për lirinë e shqiptarëve, Shqipërinë e lëvizjes së lirë dhe Shqipërinë e tregut të lirë.
Sot, 20 vjet më pas Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka përfituar lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian për shtetasit e saj si dhe është pranë vendimeve të mëdha, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.