E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtesë/Kanaçet e lirisë

Mars,’91. Regjistrohet kohë e ftohtë, në të gjitha buletinet metrologjike. Frymorja e përditshmërisë së qytetit ishte shtuar. Copëra nga bisedat, që ndeshje në rrugë: - Kanë filluar të nisen anije për në Itali.
Nga versioni i asaj dite marsi kemi këtë rrëfim: Anijet ikën dhe sëbashku me to mijëra shqiptarë kapërcyen për herë të parë Otranton. Ata kishin lënë brigjet me pikëllimin që u ndihej në shpirt dhe si udhërrëfyes kishin tokën e premtuar në Perëndim. Qëndruan në Monopoli dhe më pas u shpërndanë në qytete te tjera të Italisë. Të varfër e të shkretuar shqiptarët zunë punë dhe dërguan në vendlindjet e tyre pakot e para me rroba, ushqime pije dhe ç’t’u zinte dora sepse ne vendin e tyre jetohej nën vrazhdësinë e kohës moral i ultë për tokë dhe asgjë nëpër dyqanet ku sipër tyre shkruhej bufe. Në qytetin tonë në këmbët e tij, llapashitej deti nën kapotën ushtarake, kur mbërritën pakot. Një furgon i bardhë i ardhur nga emigrantët ishte ankoruar në port dhe filloi t’i shkarkonte pakot, duke folur me zë emrat e plakave të mëhallës tonë. -Pakoja e Anifesë, të vijë Anifeja. – E Soses, ku është Sosja? -E Velidesë..., -e Manushes...
Ndërkohë, mbërinin me togje mesazhet e emigrantëve: -Jemi mirë, kemi zënë punë. -Kemi merak për ju. -Keni bukë, po dritat u ikin? Manushes i kishin dërguar edhe një kanaçe me birrë. Vezullonte kanaçja. U ngjau si parfum. - Moj Manusha, i tha gjitonja, të kanë dërguar fëmija livando? Manushja e mori dhe ua hidhte të gjithëve nga pak në kokë... “Sa për ilaç, tha, se është parfum i rrallë”. Kur mbaroi kanaçja Manushja e çoi në bufe. Pas ndonjë ore, një vashë e mëhallës, që e kishte parë tek Rai si reklamë, i tha se ajo ishte kanaçe birre. -E mirë në ishte birrë... tha Manushja.
Një vit e gjysëm më pas, në mëhallën tonë u dukën emigrantët e parë. Djali i Manushes, kur pa kanaçen e birrës në bufe, qeshi dhe vuri duart në kokë. E mori ta hiqte. -Lere mor djalë! -Do na qeshin bota, tha ai. - Cila botë tha Manushja, të gjithë kështu i kanë bufetë, plot me kanaçe. - Këto hidhen në plehra, thoshte djali, po ku dëgjonte nënëzeza...
Thuhet se diku nga viti ‘94 u hoqën nga bufetë dhe u hodhën në plehra kanaçet e birrës. Diku aty nga viti ‘93 një banor nga Lezha kthehej në Shqipëri me një traktor. Doganieri italian pa i kontrolluar dokumentet, i kish thënë: “Ec, kalo ti, se e paske mendjen për punë. Shqiptarët e tjerë që kanë kaluar, kanë marrë në Itali vetëm makina”.
Kështu filloi ndryshimi dhe pirgjet me kanaçe sot i gjen nëpër plehrat e qytetit tim. Plakat e mëhallës time qeshin kur kujtojnë atë historinë e kanaçes. Por do të duhej të rrëzohej muri i komunizmit shqiptar për të ardhur kohët e një ndryshimi.
Ata, përpara kishin shpresën, vezullimi i dritave u ngjante me atë vegim magjik, në atë llahtari dhe në çast, çehrja u ndërronte. Shumica, të rinj, me shpirt të pastër dhe të virgjër. Njerëzit e ngritur me sytë e përgjumur nën cingërimën e atij dimri, kërkonin rishtazi një copë truall të ri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›