E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e vërtetë e një njeriu të anatemuar nga enverizmi

Me rastin e 59-vjetorit të vrasjes së Sali Ormënit

59 vite më parë. Një nga vitet e bujshme të terrorit komunist. Ishte shkurti i vitit 1951 kur u pushkatuan 22 njerëz, krejtësisht të pafajshëm, të ngritur nga shtrati në Tiranë, pa gjyq. Duhej të dridhej, sërish, foshnja në bark të nënës, - sië është një shprehje. Komunizmi kërkonte ta paraqiste edhe njëherë fizionominë e vet të shkatërrimit tërësor të ndërgjegjes njerëzore, - siç shkruan një shkrimtar e publicist i madh polak, që është quajtur „ëudibërësi i reportazhit politik”, për t’u krahasuar me Gabriel Garcia Markuezin.
Duket se kishin qenë falsitete të radhës ato “autokritikat” komuniste të shprehura në emër të “ligjshmërisë”, për atë tmerr që hoqën qytetarët e ndërgjegjshëm të Tiranës, në atë 17 nëntorin e përgjakshëm të 1944-s, kur merreshin qytetarë nga shtëpia dhe vriteshin në rrugë, - ose pranë Bristolit, apo kudo gjetkë, - për t’u thënë kryeqytetasve: -“Ne ju çliruam, por i vini gishtin kokës. Tani e tutje.... sus!”. E më vonë u kujtuan se vendi ynë do të quhej Republikë Popullore nën një shtet ligjor! Së këtejmi, “na falni”. Dhe gjithmonë na del një skenar i pabesueshëm, për ta shkëputur fajësinë nga Enver Hoxha dhe për të gjetur fajtorë të rastit. Për shembull: Kristo Themelko! Por ky u kujtoi në Plen. II të KQ të PKSH-së, më 23-27 nëntor të vitit 1944-s, në Berat, kur E.H.-s i kishin vënë gishtin si përgjegjës masakrash! Më vonë u gjetën të tjerë desh të kurbanit, capro espiatorio: Koçi Xoxe! Tani terroristët e vërtetë të së ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu. Por kishte edhe një guximtar të shkallës sipërore, që ishte futur në plenumin që po përgatiste skenarin për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke dalë si rebel nga spitali ku e kishin rrasur, dhe kishte behur në mënyrë të papritur, duke buçitur: - “Mos e bëni këtë krim!”. Ky ishte Sali Ormëni. Si në filmat thuajse të pabesueshëm!
* * *
Për të qenë në rregull me kronologjinë, do të bëjmë një digresion.
Jemi pas mbarimit të Luftës II Botërore, pak më shumë se pesë vite më vonë. Shqipëria po varfërohej hap pas hapi. Kamionë vargan drejtoheshin për në Jugosllavi me pasurinë që u grabitej tregtarëve, që nga florinjtë gjer te karficat e bizhuteritë. Kishte filluar prej kohësh farsa e lumturisë fiktive. Deputeti tragjasiot, Sali Ormëni, me një prestigj të jashtëzakonshëm për karakterin e tij të papërkulshëm, nuk donte të rrafshohej në Kuvendin Popullor me kolegët e tij, të cilët ishin në atë seli sa për të ngrohur paksa karriget. Ishte i rebeluar në ndërgjegje për atë mjerim që kishte parë në Tragjas, me sytë e tij. Fshatarët ishin në uri për bukën e gojës. Kishte marrë një nismë të çuditshme: Kishte hapur depot e drithit për farë dhe ua kishte ndarë një pjesë fshatarëve. E kishte habitur Enverin kur ia kishte thënë në sy të vërtetën, që binte ndesh me propagandën e bollëkut! Ishte koha kur kishte një apo dy grada më lart se Kadri Hazbiu. Madje kishte rënë në konflikt me këtë, jo se ky ishte në ngritje e sipër, me mbështetjen e Mehmet Shehut, por sepse këtë ngjitje e bënte në sajë të një shpirti të ashpër, të dhunshëm dhe terrorist,- sipas tij. Doemos që E. Hoxha, në atë kohë, ishte promotor i atyre tipareve që duhej të karakterizonin një komunist, aq më tepër në kupolën e pushtetit. Kreu i pushtetit tonë, po orvatej të bëhej njëshi i padiskutuar. E kishte studiuar thellësisht biografinë e Stalinit.
Mos të harrojmë se Sali Ormëni kishte qenë bashkë me Enver Hoxhën në Konferencën e Paqes në Paris. Kishte shtatë plagë në trup dhe sapo e kishte hequr bastunin. Por, në vijim të kohës, nuk mund të pajtohej me falsitetin e një regjimi mizor. Si deputet, ai ishte gjithmonë pranë popullit që përfaqësonte, dhe nuk mund të mbetej gojëmbyllur, sa për të bërë një ritual në një ngrehinë, njerëzit brenda së cilës ngrinin dhe ulnin gishtat, sipas shkopit të dirigjentit.
Enver Hoxha e akuzoi se kishte shpërdorurar farën e depove, pa u konsultuar. Për më tepër, se nuk dinte të shihte progresin në përpjekjet e mëdha për ndërtimin e bazave të socializmit. M. Shehu e kuptoi rrëmbimthi se këtij njeriu me popullaritet të padiskutueshëm, “i kishte marrë koka erë”. Duhej vënë në karantinë. Kadri Hazbiu fluturonte në ekstazë, sepse karriera e tij e lartë hapte dyert dy kanatash, tashmë. Por kishte shumë gjasa që nuk gjykohej oportune prej secilit prej të treve, që ta ekzekutonin me një gjyq, qoftë edhe si ato të Stalinit ndaj Zinovievit, Kamenievit, Radekut e të tjerëve. Ka edhe skenarë të tjerë!
Mund të përfitohej edhe nga disa mosmarrëveshje të Ormënit me shefin e misionit ushtarak sovjetik, që në atë kohë mbahej me pekule. Hë për hë duhej luajtur roli i mirëdashjes: Ja që kishte pësuar një krizë nervore! I dhanë si këshillë që të ndahej nga gruaja. Ajo ndikonte për keq në ekuilibrin e tij shpirtëror . Në spitalin e detyruar, përkujdeseshin për të duke i vënë në dispozicion edhe femra, që të mos mërzitej! Por Sali Ormëni e kishte nuhatur menjëherë rolin e këtyre, i ngjashëm me ato femrat e hotelit që e joshnin Milovan Gjilasin, në prag të takimit me Stalinin!
Miku i tij i ngushtë, Beqir Ndou, ishte arrestuar. Kadri Hazbiu mundohej më kot t’i merrte të dhëna në birucë: “Përse u solle kaq keq në K.Q.? Ti nuk je armik si Sali Ormëni. Varja atij, se ishte i çmendur. Ti e mbron i pavetëdijshëm atë. Saliu më nxori edhe mua jashtë, kur vajta ta shihja si ishte me shëndet, në spital. ç’t’i bëja? Të çmendurit hapi udhë!”.
Por ky i çmenduri, anëtar i Plenumit të K.Q., i paftuar në këtë organ të lartë, siç e pamë, doli nga spitali ashtu si mundi dhe , me mandatin e anëtarit të Plenumit, hyri brenda për t’ua përplasur të vërtetat në sy komplotuesve të një zezone që do të mbetet në histori!
Ata të Plenumit bënë të tyren: I vranë të 22 vetat e pafajshëm, që i varrosën me rrëmbim pak më tej urës së Ishmit, në të djathtë. Ndërmjet tyre ishte edhe Sabiha Kasimati. Sepse kishte qenë shoqe klase me Enverin, të cilin e vinte shpesh në lojë! Dy funksionarë të lartë të administratës ligjore, dhanë dorëheqjen. Pastaj kriminelët u kujtuan të sajonin një si punë gjyqi, që kishte dhënë dënimet me vdekje me akuza “më the, të thashë” dhe me datë para ekzekutimit! Natyrisht, edhe me vulën përkatëse!
[Këtu më duhet të hap një kllapë, që nuk më duket se është jashtë teme: Farsat e Edvinit, skenarët e tij për të çuar tek ajo që parashikonte Makiaveli se politikanët e këqij rrinë e vrasin mendjen që të krijojnë gjendje në të cilat të munden mjetet që të justifikojnë qëllimin, këto krijime ngërçesh për të mos humbur ofiqin, pra, këto sajesa që nuk janë aspak kriza të vendit, por kriza vetjake, apo sajesa, - janë ustallëqe të marra badihavà nga komunizmi, mendësia e të cilit është e gjallë edhe tani, falë veprimtarisë së EdRamës dhe të nostalgjikëve të tjerë, me të cilët thuren skenarët!].
Tani vijmë te shpikja e ustallarëve të asaj kohe: ata po vrisnin mendjen jo si ta vrisnin Sali Ormënin, por si të quhej vrasja e tij si e besueshme për një vetëvrasje! Pa dyshim se në këtë detyrë kriminale duhej përgatitur një skenar. Do të zgjatesha po të hyja në hollësitë e këtij skenari kobzi. Veçse fijet e këtij skenari po dalin, njëra pas tjetrës, të zbërthyera, fill pas kohës demokratike në vendin tonë, nga i nipi i Sali Ormënit, investigatori dhe shkrimtari Xhemal Imeri. Ngulmimi i tij në katër libra me këtë subjekt, thuajse e ka qartësuar intrigën për ta dhënë ngjarjen tragjike të shpikur, kryengulthi. Ka mbetur pa u zbuluar një gjë, që kërkon një përpjekje titanësh: Gjetja e eshtrave!
Unë jam i bindur se edhe kjo enigmë do të zbardhet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›