SHBA, rast i rrallë, lindin dy binjakë me baballarë të ndryshëm
Një amerikane ka lindur dy binjakë të ngjizur me dy baballarë të ndryshëm. Sipas testeve të atësisë, nuk ka asnjë mundësi që binjakët të kenë prindër të njëjtë. Mjekët kanë vlerësuar se bëhet fjalë për një rast shumë të rrallë, edhe pse pjesa më e madhe e njerëzve nuk besojnë se kjo do të mund të ndodhë. “Unë kam binjakë, por kanë baballarë të ndryshëm”, ka treguar Mia Uashington për “Fox News”. Testi i ADN-së ka treguar se dy binjakët, Justin dhe Jordan, tani 11 muajsh, kanë karakteristika të ndryshme. “Nga të gjithë këta njerëz në Amerikë dhe në të gjithë botën ky rast u dashka të më ndodhë vetëm mua. Jam e shokuar”, tregoi mamaja e binjakëve. “Kjo duket me të vërtetë e pamundur. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk besojnë se mund të ndodhë, por ja që ka ndodhur”, tha Genny Thibodeaux, president i “Clear Diagnostics”. Në të gjithë botën janë regjistruar shumë pak raste të ngjashme dhe mjekët e quajnë fenomenin “superfekondim heteropaternal”, që ndodh kur nëna lëshon shumë vezë dhe ka raporte me meshkuj të ndryshëm në të njëjtën periudhë. I fejuari i Mias e ka falur për tradhtinë dhe do të vazhdojë t’i rrisë fëmijët të dy si të tijtë.