PD zgjedh ekipin politik që do e drejtojë në fitoren e 2013-s

Këshilli Kombëtar i PD-së zgjodhi dje kryesinë e përbërë nga 25 anëtarë, duke respektuar kriteret që përcakton statuti i partisë, por edhe duke reflektuar kontributet në përballjet e fundit elektorale. Pas ekipit politik, në mbledhjet e ardhshme, pritet të zgjidhen edhe sekretari i përgjithshëm, dy nënkryetarët si dhe sekretariati i partisë
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kanë zgjedhur dje kryesinë e re të selisë blu. Punimet e Këshillit Kombëtar nisën që gjatë paradites, ndërsa pas diskutimeve dhe analizës së zgjedhjeve vendore të 8 majit, u hodhën në votim emrat e 42 kandidatëve, për zgjedhjen e kryesisë së re të Partisë Demokratike. I pari që ka hedhur votën në emrat e 42kandidatëve të propozuar ka qenë kreu i kësaj partie, njëherësh kryeministri i vendit Sali Berisha. Nga rezultatet e votimit, u konfirmuan 25 emrat më të votuar të kryesisë, të cilët edhe do të formojnë këtë forum të lartë vendimmarrës të partisë në pushtet.
Më votuari nga 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat ka qenë kryetari i sapo zgjedhur i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me 116 vota, i ndjekur nga kreu i Transporteve Sokol Olldashi me 104 vota, kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho me 103 vota, kryetari i PD-së për Tiranën Aldo Bumçi me 98 vota si dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli me 94 vota.
Në kutitë e votimit janë hedhur 134 fletë, në të cilat 131 fletë kanë qenë të vlefshme dhe 3 të pavlefshme. Nga 25 anëtarë, 9 prej tyre zgjidhen për herë të parë, të cilët vijnë nga radhët e deputetëve ose kontribuues me përvojë të gjatë në Partinë Demokratike. Krahas 25 anëtarëve të zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat, kryesia përbëhet edhe nga kryetari dhe nënkryetari (nënkryetarët) i Partisë, Sekretari i përgjithshëm, kryeministri, kryetari i Parlamentit që i përkasin Partisë Demokratike, kryetari i bordit financiar, kryetari i grupit parlamentar të PD në Kuvend si dhe kryetarët e organizatave partnere.
Veçori specifike e statutit të Partisë Demokratike, është respektimi i kuotave për përfaqësimin e grave. Sipas statutit, numri i fitueseve gra, s’duhet të jetë më pak se 25 për qind.
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike u mbledh dje gjatë paradites nën drejtimin e kryetarit të PD-së dhe njëherazi kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në axhendën e punimeve të Këshillit Kombëtar, ishte diskutimi dhe analizimi i zgjedhjeve të 8 majit, nga mbarëvajtja e procesit e deri te rezultati i Partisë Demokratike në çdo bashki dhe komunë të vendit.
Ajo që mbizotëroi në qëndrimet e anëtarëve të Këshillit dhe kryetarit të PD-së Berisha, ishte se koalicioni djathtë, i kryesuar pikërisht nga partia në pushtet, korri një sukses të shkëlqyer në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke marrë 140 mija vota më shumë se koalicioni i majtë i Partisë Socialiste. Por, ajo që vlen të veçohet në diskutimet dhe analizën e demokratëve, është fitorja e Partisë Demokratike në bashkinë e Tiranës, pas 11 vjetësh. Për kryeministrin Berisha kjo ishte fitorja më e madhe e të djathtës në këto vite.
Zgjedhja e Sekretariatit, Këshilli Kombëtar shtyn votimin për mbledhjen e radhës
Zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve funksionalë të Partisë Demokratike, është shtyrë për mbledhjen e radhës. Këshilli Kombëtar demokrat zgjodhi dje kryesinë e selisë blu, ndërsa ka shtyrë për një kohë tjetër, zgjedhjen e Sekretariatit. Menjëherë pas pushimeve dhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar, demokratët do të thërrasin përsëri Këshillit Kombëtar, për të reformuar një tjetër hallkë të rëndësishme të funksionimit të Partisë, siç është Sekretariati.
Kompetencat e Këshillit Kombëtar Demokrat në zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve funksionale, parashikohet në pikën c të nenit 41 të statutit të PD-së, i cili parashikon, “Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë: i. Sekretarin e Përgjithshëm; ii. Nënkryetarët e Partisë; iii. Sekretarët funksionalë...”.
Sipas nenit 48 të këtij Statuti, “Sekretari i Përgjithshëm organizon funksionimin e përditshëm të partisë dhe përgjigjet për organizimin e saj. Ai paraqet çdo vit raportin e veprimtarive të kryesisë qendrore para Këshillit Kombëtar. Ai ndihmohet në punën e tij nga sekretarët funksionalë. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet në përputhje me Nenin 41 të Statutit”.
Me zgjedhjen e Sekretariatit, merr fund procesi i reformimit të strukturave të Partisë Demokratike. Ky formacion do udhëheqë Partinë më të madhe në vend për 4 vitet e ardhshme dhe sfida e radhës mbeten zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.
Kryesia e PD-së
1 SALI BERISHA
2 ADRIANA GJONI
3 ALDO BUMCI
4 ARBEN QIRJAKO
5 ARTA SAKJA
6 ASTRIT PATOZI
7 BUJAR NISHANI
8 EDI PALOKA
9 EDMOND SPAHO
10 EDUART HALIMI
11 FATOS BEJA
12 FLAMUR NOKA
13 GENC RULI
14 ILIR RUSMAJLI
15 JEMIN GJANA
16 JOZEFINA TOPALLI
17 KELTIS KRUJA
18 LAJLA PERNASKA
19 LULZIM BASHA
20 MAJLINDA BREGU
21 MESILA DODA
22 MYQEREM TAFAJ
23 RAJMONDA BULKU
24 RIDVAN BODE
25 SOKOL OLLDASHI
26 ABANA VOKSHI
27 GERTI BOGDANI