Tirana - kurora e fitores, Basha, më i votuari në Këshillin Kombëtar

Në analizën për zgjedhjet e 8 majit, kryeministri Berisha vlerëson se “Aleanca për Qytetarin” arriti një triumf elektoral, duke triumfuar si në shkallë vendi, ashtu edhe në kryeqytet, në zemrën që përsëriti fitoren ndaj aleancës së pinjollëve të Bllokut
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike se, “8 maji shënoi fitoren më të thellë për Partinë Demokratike, ku kurora e fitores ishte kryeqyteti”. Sipas kreut të qeverisë, zgjedhjet vendore të 8 majit dëshmuan kulturën demokratike. Në këtë analizë, kreu i PD-së, tregoi se prova e qartë e fitores ishte vota, ku me një diferencë të thellë, mazhoranca ka marrë 219 komuna e Bashki, kundrejt Partisë Socialiste me 149 komuna e Bashki në të gjithë vendin. “Jemi mbledhur sot, pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 korrikut, për një analizë të këtyre zgjedhjeve në tërësi dhe ashtu siç kishim vendosur në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, për zgjedhjen e kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Më 8 korrik përfundoi procesi i zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011. Për Partinë Demokratike, aleatët e saj, por për Shqipërinë e mbarë shqiptarët, ky ishte procesi më i bukur i zgjedhjeve vendore dhe në disa aspekte ishte procesi më unik dhe historik që nga zgjedhjet e para të lira vendore të korrikut 1992. Zgjedhjet e 8 majit shënuan fitoren e katërt radhazi të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, të koalicionit të saj. Pas fitores së vitit 2005, 2007 dhe 2009, erdhi edhe kjo fitore si një kurorë tjetër, fitore elektorale e shkëlqyer. Zgjedhjet vendore të 8 majit janë zgjedhjet, në të cilat qytetarët shqiptarë votuan më masivisht se kurrë në zgjedhje vendore, votuan më masivisht se në të gjitha zgjedhjet në 15 vitet e fundit të analizuara, votuan më të lirë, më të sigurt, më me dinjitet se kurrë në historinë e tyre”, u shpreh kryeministri Berisha. Zgjedhjet vendore të 8 majit për Partinë Demokratike, aleatët e saj të bashkuar në “Aleancën për qytetarin” ishin provë e madhe e besimit, e vlerësimi të qytetarëve për qeverisjen e mazhorancës së tyre, për projektin e tyre “Shqipëria - vend i zhvilluar”. Berisha theksoi se PD dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” udhëhoqën garën e 8 majit, me 17 për qind më shumë të votave, sesa koalicioni rival. Diferenca është e kuptueshme, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, të grupuar në “Aleancën për qytetarin”, fituan në 219 komuna dhe bashki të vendit, kundrejt 149 komuna e bashki që fitoi aleanca e vetmisë së madhe. Një llogaritje e thjeshtë matematikore, shifrën e thellë të 140 mijë votave më shumë përkthehet në 17 deputetë më shumë për koalicionin e djathtë të drejtuar nga Partia Demokratike. “Në 8 maj të vitit 2011, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të ‘Aleancës për qytetarin’ shënuan në rrafshin e votëbesimit, vlerësimit, certifikimit të qeverisjes së tyre një fitore shumëplanëshe, më të thellë ndonjëherë, theksoj, në historinë e zgjedhjeve vendore. Në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë votuan për ‘Aleancën për qytetarin’ dhe Partinë Demokratike që udhëhoqi këtë Aleancë, 17 për qind më shumë, 140 mijë vota më shumë, sesa për aleancën e vetmisë së madhe, apo në rrafshin elektoralo-kulturor, aleancën e kazanit. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, të grupuar në ‘Aleancën për qytetarin’, fituan në 219 komuna dhe bashki të vendit, kundrejt 149 komuna e bashki që fitoi aleanca e vetmisë së madhe. Në këto zgjedhje, për ata që kanë pasion patologjik analizat ndarëse e përçarëse të elektoratit, për ata që përçmimin e kanë si moral që i ndajnë zgjedhësit në eskimezë e jo eskimezë, dua t’u them se në zgjedhjet e 8 majit për ‘Aleancën për qytetarin’ u hodhën në bashkitë e vendit 43 mijë vota më shumë për aleancën tonë, ndërsa për kryetarët e komunave e bashkive, ‘Aleanca për Qytetarin’ mori 41 mijë vota më shumë. Pra, në rrafsh kombëtar të konvertuara në sistem, ‘Aleanca për qytetarin’ ka marrë rreth 17 deputetë më shumë, me koston e deputetit socialist që është 9 mijë vota në parlament, sesa koalicioni tjetër. Me koston e deputetëve të shumicës, ‘Aleanca për qytetarin’ ka marrë 14 deputetë më shumë. Kjo ishte përgjigja dinjitoze, e vendosur e qytetarëve shqiptarë në referendumin mbarë popullor të shpallur para shqiptarëve në zgjedhjet vendore nga aleanca e kazanit”, u shpreh kryeministri Berisha. Duke e konsideruar si fitore historike, kryeministri Sali Berisha theksoi se kurora e kësaj fitore është zemra e Tiranës, aty ku 20 vjet më parë mori jetë lëvizja për liri. Më 8 maj, kryeqytetasit votuan me 10 909 vota më shumë “Aleancën për Qytetarin”, në të katër garat e marra së bashku. “Fitorja është historike, sepse kurora e saj është zemra e Tiranës, është kryeqyteti në tërësi. Pas 11 vitesh, Partia Demokratike rikthehet fuqishëm në djepin, ku lindi. Në djepin, ku u themelua. Në djepin, ku u lartësua me shpejtësi të madhe, si forcë kryesore politike e vendit. Rikthehet fuqishëm në djepin e saj, ku shpalosi programin e përmbysjes së një sistemi të vjetër dhe ndërtimin e sistemit të ri. Beteja, mbi të gjitha dhe para së gjithash, u zhvillua njëlloj si 20 vjet më parë, në rrugët e rrugicat e Tiranës. Kjo është e vërteta. Tirana, tironsit, kryeqytetasit votuan me 10 909 vota më shumë ‘Aleancën për qytetarin’, në të katër garat e marra së bashku. Beteja e 8 majit u zhvillua në mbarë Shqipërinë, por më madhërishëm, më fuqishëm se kudo tjetër u zhvillua në rrugët e rrugicat e Tiranës. Njëlloj si 20 vjet më parë, kryeqyteti do të nxirrte në pension politik diktatorin e fundit komunist të Shqipërisë, pas 20 vitesh do t’i jepte të njëjtën përgjigje pinjollit të tij, i cili qeverisi Tiranën për 11 vjet dhe përveç bojatisjes së pallateve, kthimit të Lanës në identitet dhe zgjerimit, absolutisht e shndërroi Tiranën në kryeqytetin e kohës së ndaluar, të rrënimit urbanistik, zhduku njëri pas tjetrit të gjitha parqet, gjelbërimin, shërbimet dhe po e katandiste në një kështjellë betoni. Kjo përbën një zhvillim historik për Tiranën dhe mbarë vendin”, tha Berisha. Kryeministri gjeti rastin t’i përsërisë ftesën për bashkëpunim opozitës. Ai tha se kushti kryesor i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është realizimi i reformave dhe për këtë nevojitet dhe konsensusi i opozitës. “Ftesën e zotit Patozi e refuzuan. Ftesa të tjera do të bëhen, përpjekje të tjera do të bëhen, por i garantoj qytetarët shqiptarë se asgjë nuk do mund të mbizotërojë mbi ligjin e Kushtetutën e vendit. Nën Zotin dhe Kushtetutën, ishte parimi i atyre që ndërtuan demokracitë më të mrekullueshme. Ne qëndrojmë të gatshëm për reforma, qëndrojmë të hapur për dialog, por qëndrojmë të vendosur gjithashtu, në zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit”, tha kryeministri. Sipas tij, deklarata e Ramës se bojkoti dha rezultatin e duhur, ishte një qëndrim i papranueshëm pasi me këtë ai faktorizohet si alternativa e bllokimit.
...