Piramida - shumë zhurmë për... një çiban!

Zhurma që ka shpërthyer për prishjen e së ashtuquajturës “piramidë” dhe për ndërtimin, në vend të saj, të ndërtesës së ardhme të Parlamentit, tashmë është ngritur në tone të padurueshme. Shumë zhurmë... për një çiban. Prishjen e “piramidës” e kanë vulosur një herë e përgjithmonë shqiptarët qysh në shkurt të 1991-së, kur u hodh përtokë përmendorja e diktatorit dhe u tërhoq zvarrë drejt Qytetit Studenti, ku bëhej greva historike e urisë e studentëve universitarë. Asohere nuk u zgjat tërkuza kaq sa sot. Edhe policia e Ramiz Alisë dhe e Hekuran Isait nuk bëri ndonjë përçapje kushedi se çfarë për ta shpëtuar përmendoren gjigande, as për t’i ndaluar kryeqytetasit ta hiqnin osh me litarë e me automjete ose t’i hipnin sipër trupit të diktatorit, derdhur në bronz. Dështuan me turp edhe ndoca tentativa për të marshuar drejt qendrës së kryeqytetit me “Enver pe tebeshiri”, siç ua vunë emrin korçarët busteve prej allçie të diktatorit. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në ndonjë qytet tjetër, u bënë tentativa të dështuara e qesharake me “Enver pe tebeshiri” mbi krahët e ca veteranëve trutharë. Kujt nuk i kujtohen sot skenat e filmuara prej Televizionit Shqiptar, ku njerëz me çekiçë të rëndë dhe me sharra-prerëse të mermerit i këputnin kryet diktatorit të mermertë, vendosur në qendër të “piramidës”? Ata nuk i shtyu kush të rrënonin një herë e përgjithmonë kujtimin për mumien e ndrydhur në “piramidë”. As policia e shtetit komunist, as këta që sot kërkojnë ta na e rikthejnë si frymë dhe si mumie, nuk dolën t’ua ndalnin dorën rrënuesve. Mjeranët ishin futur vrimave, si minj. Ku ishte asohere kjo tufë laramane njerëzish gjurulldarë që ulërijnë e këndojnë himne, të tubuar përpara “piramidës”, tashmë të rrjepur mos për gjynah? Ku ishin këta arkitektë, historianë, gazetarë, shkencëtarë, artistë, kameramanë, fotografë, drejtues OJQ-sh, mbledhës firmash për peticione etj. etj., por që llogariten hiç në krahasim me Tiranën e atëhershme, jo më me të sotmen, afro një milionëshe? Mua nuk më habitin fjalimet e renegatëve të tipit Mustafa Nano, që lëkundet si plep nga e shpie era. Nuk më kanë pas habitur dhe as më habitin qëndrimet e mediave “transzhener”, të cilat i lëshohen ligjit dhe shtetit, sa herë është fjala për humbje të përfitimeve abuzive, si, fjala vjen, rasti i televizionit të instaluar në mjediset e “piramidës” që, siç është shkruar në shtyp para do kohe, i ka pas paguar Bashkisë qira qesharake (0.5 euro për metër katror, nëse s’jam i gabuar). Mua më habitin ulërimat e ndonjë ish-të internuare në fushat e Myzeqesë a të ndonjë ish-të burgosuri politik, të cilëve Enver Hoxha nuk ua kurseu as prangat, as punën prej skllavi, ndonëse ndokë e pati në sofër të vet. Mua më habitin arsyetimet e pathemelta se, ndërsa shteti komunist paska pasur të drejtë t’ua konfiskonte tregtarëve, bejlerëve, etj. vilat - pronë e tyre - shteti demokratik s’paska të drejtë të vërë dorë mbi “piramidën”, që s’është pronë e Enver Hoxhës. Absurd, i ngritur në piedestal komunist. Të qenkësha në vend të tyre, do të më ngjante se, duke dalë në mbrojtje të “piramidës”, ato vite burgu ose internimi, do t’i shkelja me këmbë, do t’i shumëzoja me zero. Personalisht, nuk gjej dot shpjegim tjetër, përveç dëshirës së sëmurë për të qenë në qendër të stuhive mediatike, si protagonistë. Ndërkohë, nuk mund të pajtohem dot me mendimin që qarkullon poshtë e lart, se shpjegimi fshihet diku në anët më të padukshme të jetës së këtij takimi njerëzish, çka as që dua ta shkoj nëpër mend. E para pyetje që më vjen në majë të gjuhës nxitur prej arsyesh të mosarsyes, në mbrojtje të “piramidës”, është: Pse nuk u dashka shkulur që në rrënjë një çiban i mahisur prej 1944-s, i cili na e ka mahisur dhe po na e mahis jetën ende këta 20 vjet? S’jam historian. Por, edhe pa qenë i tillë, si çdo njeri në botë që e di çka është historia, do të thosha pa hezituar se “piramida” në qendër të Tiranës, përveç mbingarkesës simbolike, s’ka asnjë vlerë historike. Ajo nuk është pjesë e historisë, ta zëmë, si piramidat e Egjiptit. Çfarë historie ka ajo në këta njëzet e ca vjet të ekzistencës së vet, përveç, ndoshta, asaj të ndonjë televizioni privat - edhe ajo historizë, e fiksuar në aparatura elektronike nga më modernet - ose përveç kujtimeve të ca fëmijëve (sot burra) që dikur, pas 91-së, rrëshqisnin më bythë mbi mermer nga maja, te shkallët e “piramidës”? Historianët, të cilët përpiqen të na mbushin mendjen se ajo është pjesë e historisë, le t’i besojë ndonjë i matufosur a kushdo tjetër që ka oreks t’i dëgjojë. Mendjet e shëndosha, s’besoj se ndjenë nevojë për leksione të tilla historie. Uroj t’i rrojnë e ta kenë njëri-tjetrin. S’jam as arkitekt, ndaj s’ma ka ënda të hyj në detaje të një profesioni të panjohur. Por, nëse mendimi i arkitektëve sot është ndarë dysh lidhur me prishjen e “piramidës”, mua më bind më tepër, fjala vjen, opinioni i inxhinierit-arkitekt Fiqret Bekteshi, botuar para do kohe në gazetën “55”, sesa i ndonjë tjetri, që sforcohet me pahir të gjejë ndonjë vlerë arkitekturore. Madje, sipas z. Bekteshi, “piramida” nuk ka as vlera muzeore, për shkak të papërshtatshmërisë me një ndërtesë të mirëfilltë muzeu, ngase hapësirat e krijuara në katet e ndryshme mes platformës dhe faqeve anësore me pjerrësi të madhe drejt kulmit, janë të papërdorshme. Një vepër kësisoj, ku, për hir të simbolikës janë sakrifikuar hapësira të përdorshme, sipas Bekteshit, bie ndesh me logjikën bashkëkohore të ndërtimit, qoftë ajo (vepra) edhe me pretendime ndërtimore të kohës. Ajo bën kontrast të madh me ndërtimet e sotme të një Tirane moderne, duke qenë jashtë mjedisit shkretëtiror, ku njerëzimi është mësuar t’i përfytyrojë piramidat për mijëravjeçarë rresht. Simotrat e televizionit “të pavarur” që emeton lajme sensacionale, siguruar me përgjime të paligjshme, pamore, qofshin, dëgjimore a të shtypit, të cilat i fryjnë kësaj tymnaje mediatike, si edhe veprimtarët e tipit Artan Lame me shokë që organizojnë protesta e spektakle dhe ulërijnë të mos preket “piramida e Enverit”, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se, “vlerat” pa vlerë nuk mbrohen me peticione. Peticione, ndoshta më domethënëse dhe më të efektshme, mund të bënin edhe ata që kërkojnë prishjen e “piramidës”, po ta donte nevoja, pavarësisht çka do të ndërtohej në vend të saj. A e dinë mbledhësit e firmave se sa firma të tjera do të mblidheshin me atë rast, në krahun e kundërt? Jo vetëm bashkëvuajtësit e ndonjërës a të ndonjërit që s’dihet përse i dalin në mbrojtje “piramidës”, por edhe ata që diktatori i ka zhdukur pa u lënë shenjë e varr, edhe ata që ikën nga kjo jetë buzëplasur e shpirtvrarë për të vënë një lule në varrin e të afërmve, do të ngriheshin të firmosnin për t’ia hequr Tiranës “lanetin”. Atëherë, çfarë do të fitonim ne, shqiptarët, me grindje e përplasje të tilla për hiçmosgjë, që shteti ka detyrim t’i zgjidhë në bazë të ligjeve dhe të kërkesave të kohës, thua se nuk kemi të tjera probleme për peticione? Sepse me prishjen e “piramidës” dhe me ndërtimin atje të çfarëdo lloj objekti tjetër nuk cenohet e drejta e ndonjë individi, as trashëgimia kulturore e historike kombëtare. Personalisht, do të doja një objekt në kujtim të viktimave të komunizmit, por kur shteti, me mundësitë që ka, synon të na dhurojë një vepër po aq madhore në 100-vjetorin e Pavarësisë, unë dhe kushdo qoftë tjetër, kemi detyrimin të japim vetëm mendime, jo të kërcënojmë e të turbullojmë ujërat më ç’të na vijë përdore. Tashmë, është fare e qartë se e gjithë kjo zhurmënajë është shkaktuar me synim mbrojtjen e kujtimit të diktatorit e të diktaturës. Ata që duan ta kthejnë mbrapsht rrotën e historisë, qoftë edhe duke na kujtuar hijet e diktaturës përmes fytyrës dhe frymës së Enver Hoxhës, duke përdorur simbolikën e “piramidës” a të gjithçkaje tjetër që lidhet me jetën e tij, duhet ta kuptojnë se koha e tyre ka parënduar një herë e përgjithmonë. Kanë ardhur kohë të tjera.
...