E Diel, 1 Nëntor 2026

PD zgjedh sot ekipin politik që do e drejtojë në katër vitet e ardhshme

23-07-2011 / Gazeta 55

Pas fitores më 8 maj, Partia Demokratike ka thirrur Këshillin Kombëtar, jo vetëm për një analizë të rezultatit të zgjedhjeve, por edhe për të zgjedhur kryesinë e re, e cila do të jetë ekipi që do ta drejtojë partinë kryesore të mazhorancës edhe në fushatën elektorale të 2013-s

Partia Demokratike mbledh sot Këshillin Kombëtar Drejtues në orën 10:00 të paradites, nën drejtimin e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha. Këshilli Kombëtar i PD-së, do të diskutojë dhe analizojë procesin elektoral të 8 majit, kryesisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rezultatin që u arrit në çdo bashki dhe komunë të vendit. Në këtë mbledhje të Këshillit të Kombëtar, një pikë tjetër po aq e rëndësishme është edhe zgjedhja e strukturave të larta të PD-së, konkretisht kryesisë së forcës politike në pushtet. Kryeministri Berisha lajmëroi pak kohë më parë se Partia Demokratike do thërriste në mbledhje Këshillin Kombëtar, por jo përpara zgjedhjeve të 8 majit. Tani kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga vendoret e 8 majit, selia blu çel diskutimet dhe analizat e këtij procesi. Partia Demokratike dhe koalicioni i drejtuar prej saj, arritën në masë të fitojnë në zgjedhjet e 8 majit dhe për këtë flasin qartësisht shifrat matematikore. Në rang kombëtar Partia Demokratike dhe koalicioni i saj ka fituar 140 mijë vota më shumë se Partia Socialiste dhe koalicioni i drejtuar prej saj. Beteja epike e fokusuar në disa prej bastioneve përkatëse të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, rriti konkurrencën si dhe rivalitetin mes programeve elektorale, duke bërë kështu të mundur nxitjen e alternativave në dobi të qytetarëve. Nga i gjithë ky proces konkurrues dhe transparent, koalicioni i djathtë rimori besimin e qytetarëve dhe votuesve, duke u ri-konfirmuar si forca politike dhe mazhoranca më e votuar në rang republike. Fitorja më e madhe e koalicionit të djathtë në këto zgjedhje, mund të konsiderohet marrja e bashkisë së Tiranës, pas 11 vjetësh. Numërimi i çdo vote të qytetarëve shqiptarë, respektimi i kësaj të drejte kushtetuese si dhe dëgjimi deri në fund i zërit të votuesve, tregoi se kandidati demokrat Lulzim Basha, ishte alternativa më e votuar nga qytetarët e Tiranës. Ky formacion funksionoi dhe përbën një bazë të mirë organizimi për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, drejt sukseseve të mëtejshme elektorale. Gjithsesi, analiza e Këshillit Kombëtar demokrat do të përfshijë edhe reformimin e strukturave të saj, konkretisht kryesinë e PD-së. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i mbajtur në 14 dhjetor të 2009-ës rikonfirmoi kryeministrin, Sali Berisha, në krye të partisë me 1208 vota “pro”, nga 1218 delegatë si dhe zgjodhi 100 anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar nga 400 kandidatë garues.

Statuti i Partisë Demokratike

Kryesia e Partisë
Neni 42
Kryesia e Partisë përbëhet nga:
a. Kryetari dhe nënkryetari (nënkryetarët) i Partisë;
b. Sekretari i përgjithshëm;
c. Kryeministri, Kryetari i Parlamentit që i përkasin Partisë Demokratike;
d. Kryetari i bordit financiar (Trezorieri i partisë);
e. Kryetari i grupit parlamentar të PD në Kuvend;
f. Kryetarët e organizatave partnere;
g. njëzetepesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme. Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.
Mandati i anëtarëve të kryesisë është katër vjeçar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›