Projekti SMEI II i BE-së, 91 mijë euro Ministrisë së Integrimit për sistemin e kompjuterizuar të përkthimit
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka marrë pjesë dje në ceremoninë e Dorëzimit Zyrtar të Sistemit të Kompjuterizuar të Përkthimit(TRADOS) dhe Prezantimin e Bazës së të Dhënave Terminologjike (ALterm), financuar nga projekti SMEI II i Bashkimit Europian, që ka asistuar Ministrinë prej dy vjetësh. Projekti SMEI II, ka bërë të mundur prokurimin dhe instalimin e programit kompjuterik të përkthimit “SDL Trados 2009” me një vlerë prej 91.000 Euro si dhe ka organizuar një numër të konsiderueshëm trajnimesh për përkthyesit, që do të angazhohen në përkthimin e Acquis së BE-së si dhe stafin e Drejtorisë së Përkthimit të Legjislacionit në MIE, me qëllim përfitimin e rezultateve më cilësore përmes përdorimit të këtij programi kompjuterik. “Në kuadër të kërkesës së saj për anëtarësim në BE, Shqipëria është angazhuar në harmonizimin e legjislacionit të saj me atë të BE-së dhe zbatimin e plotë të tij. Duke qenë se është thelbësor përkthimi i legjislacionit europian dhe përafrimi i plotë i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, kemi arritur të sofistikojmë sistemin e përkthimit dhe të forcojmë kapacitetet në këtë drejtim”- tha ministrja në fjalën e saj. Këtë program të ri kompjuterik do të arrijë ta përdorë jo vetëm stafi i Ministrisë, por edhe përkthyesit e jashtëm të cilët, synojmë, të kenë në dispozicion versionin shqip të EuroVoc që është baza e termave të përdorura në terminologjinë e Bashkimit Europian; bazën terminologjike online ALterm - ku janë rreth 3616 terma të miratuara (www.alterm.mie.gov.al), burim i besueshëm ky si për përkthyesit, institucionet të cilat merren me harmonizimin e legjislacionit shqiptar dhe me atë europian, universitetet, organizatat, ashtu edhe për publikun e gjerë; më pas do të përgatitet në shqip dhe versioni i konsoliduar i Traktateve të BE (Traktatit të Lisbonës).
Në fund të takimit, ministrja Bregu së bashku me një nga përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Brusa shpërndanë disa certifikata për përkthyesit e trajnuar, si dhe prezantuan një sërë botimesh që Ministria e Integrimit ka përgatitur me mbështetjen e Projektit SMEI II në shërbim të procesit të përkthimit të Acquis, por edhe në funksion të inforimit të gjerë të publikut. Disa nga këto botime janë Glossari i MSA-së; Glossari mbi Institucionet e Bashkimit Europian; ABC e së Drejtës së Bashkimit Europian; E drejta e Aksesit në Dokumentet e Parlamentit Këshillit; Si të kërkojmë për informacionin mbi BE-në; Material ndihmës për mësimdhënien mbi Bashkimin Europian.