E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli me gratë në Kuçovë: Lufta kundër varfërisë, objektivi ynë në mandatin e ardhshëm

Kryetarja e Kuvendit në takim me qindra gra e vajza: Kemi fituar sigurinë, kemi fituar mbi të gjitha shpresën. Duke punuar bashkë është suksesi
Qindra gra, nëna, studente, intelektuale dhe gjimnaziste të Kuçovës, pritën dje në një takim të përzemërt Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Në një mjedis të ngrohtë dhe festiv, gratë falënderuan Kryetaren e Kuvendit për këtë vizitë të veçantë në qytetin e tyre, pak ditë pas anëtarësimit në NATO, ku të gjitha gratë shqiptare ndihen, si kurrë më parë, dinjitoze, konkurruese dhe të sigurta për familjen, të ardhmen dhe fëmijët e tyre. Gratë e Kuçovës, dikur banore të izoluara dhe pa shpresë të një qyteti që simbolizohej me emrin e një prej diktatorëve më mizorë të njerëzimit, sot jetojnë krejt ndryshe. Me aftësitë dhe potencialet e tyre, ato kanë ndryshuar jetën, karrierën dhe imazhin e këtij qyteti. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe shprehu mirënjohjen e saj për forcën e madhe shpirtërore, shpresën dhe karakterin e palëkundur që gratë dhe nënat e Kuçovës kanë treguar për hir të dashurisë për jetën, familjes dhe vendit.
Kryetarja e Kuvendit i falënderoi për besimin që ato, sikurse të gjitha gratë, po i japin reformave dhe programeve të maxhorancës së djathtë për ndryshimin e Shqipërisë. “Së bashku, kemi bërë të mundur që ky vend të mos shihet më si vendi i kontrabandës, sepse e kemi luftuar atë. Së bashku kemi bërë të mundur që ky vend të mos citohet më si vendi i grupeve kriminale. Së bashku kemi bërë të mundur që ky vend të mos jetë më i pari i rreshtuar për korrupsion. Kemi fituar sigurinë, kemi fituar mbi të gjitha shpresën. Kemi bërë betejë çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë, jemi përballur me forcë me të. Prej kësaj vendosmërie kemi fituar çdo vit një buxhet shtesë, kemi fituar çdo vit miliona dollarë për vendin, kemi fituar çdo vit qindra kilometra rrugë të reja të shtruara, kemi fituar në çdo rreth, në çdo qytet projekte të reja, shkolla të reja, laboratorë kompjuterikë të rinj.
Kemi mbajtur fjalën, kemi mbajtur premtimet. Por në mandatin e ardhshëm, së bashku do të realizojmë rritje të tjera.” - u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Gratë e Kuçovës vlerësuan Kryetaren e Kuvendit për rolin e jashtëzakonshëm, për lideren, siç u shprehën ato, në mbrojtjen e të drejtave të grave, në betejat dhe sfidat e politikave për ndryshim, për një mentalitet të ri në vendimmarrje. E reja, Elena Parangoni, tha se Kryetarja e Kuvendit përbën modelin e gruas dhe politikanes, që motivon të gjitha gratë për ta ndjekur. “Një grua lidere është shembull frymëzimi për të gjitha gratë kurajoze, të cilat guxojnë për një jetë më të mirë, për një karrierë më të suksesshme, për një familje solide e me të ardhme të sigurt.” - u shpreh ajo në takim Mësuesja Majlinda Stefa veçoi ndër të tjera ndryshimet rrënjësore që janë bërë në arsim sipas standardeve të BE-së, si investimi më i mirë që qeveria po bën për vendin. “Arsimi është kuruar tërësisht nga korruspioni, ka marrë fund armata e sekserëve dhe e padrejtësive. Tashmë mësuesit kanë dinjitet, standarde europiane mësimdhënieje. Të gjitha shkollat po pajisen me laboratorë e module kompjuterike dhe bibliotekat kanë përpiluar programe të shumta informimi.” Kryetarja e Senatit të gjimnazit të qytetit Julia Hasani, duke shprehur emocionet e paharrueshme të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, tha se të gjithë të rinjtë ndihen krenarë që janë brezi i ndryshimit. ”Votimet në 28 Qershor janë e drejtë dhe detyrë morale, sepse me votë ne shprehim vullnetin e lirë të qytetarëve të një Shqipërie në NATO, të një vendi që do të integrohet në BE." Në takimin me gratë e Kuçovës, Kryetarja e Kuvendit premtoi se do të jetë gjithmonë në krah të tyre, në krah të nënave të vetmuara dhe grave në nevojë. "Unë e di që te çdo zonjë, te çdo grua, te çdo nënë ka një zemër që sheh. E kjo do të thotë të jesh njerëzore. Duke u bërë bashkë ishte vetëm fillimi. Duke qëndruar bashkë është progresi. Duke punuar bashkë është suksesi."

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›