PDIU- Haxhinastos: Çamëria është trevë shqiptare, kjo sndryshohet prej askujt

Ministri i Jashtëm Edmon Haxhinasto
Partia për Drejtësi Integrimit dhe Unitet ka reaguar pa deklaratës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto, i cili tha se Çamëria nuk ekziston si toponim.
Është e papranueshme që njeriu që duhet të protestonte dhe të hidhte poshtë me argumente historike e të së drejtës ndërkombëtare këtë pretendim absurd të palës greke, ministri ynë i Jashtëm i bën tezat e Greqisë të vetat. Shteti shqiptar duhet të kundërshtojë këtë qëndrim absurd, ka kërkuar PDIU duke kujtuar se shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve dhe sidomos të qytetarëve të saj.
PDIU në një deklaratë për shtyp shpreh keqardhjen që qëndrimet absurde greke trajtohen si argumente ligjore dhe të arsyeshme edhe nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar.
Partia çame gjithashtu ka denoncuar përulësinë e shtetit shqiptar ndaj atij grek pasi argumentohet në deklaratë çështje të ngjashme janë zgjidhur nga Maqedonia dhe Turqia me Greqinë.
Nuk kemi dëgjuar deri më sot, që autoritetet tona kufitare kanë refuzuar kalimin në kufi të askujt që ka pasaportë greke e ku vendlindja shkruan Argjirokastro dhe jo Gjirokastër. Argumentet e këtij niveli janë të ulët, të papranueshëm dhe mbi të gjitha qesharakë, thuhet në reagim. /F.Stafa/
* * *
Haxhinasto: Çamëria nuk ekziston në toponimet greke
Në një intervistë në Vizion Plus, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, është shprehur se Çamëria nuk ekziston në toponimet greke.
Duke folur në lidhje me kthimin e çamëve në kufirin grek, Haxhinasto u shpreh: Ne jemi përpjekur që kjo problematikë të zgjidhet, kjo problematikë vazhdon të ekzistojë pasi ka të bëjë me mënyrat e caktuara të shkrimit të toponimeve në dokumentet tona zyrtare, por sigurisht kjo çështje zgjidhet nëpërmjet dialogut, komunikimit.
Pala greke ka shprehur qëndrimin se ajo njeh atë toponim që është paraqitur në formë zyrtare nga ana e saj në OKB. Në këtë listë që është paraqitur në OKB prej 10 vitesh nuk ekziston fjala Çamëri dhe ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje në mënyrë dypalëshe.
Ndërsa në lidhje me bllokimin e peshkatarëve të Sarandës nga marinarët grekë, një çështje që prej ditësh është në qendër të deklaratave të PDIU-së, Haxhinasto u shpreh se kjo parti nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme. Haxhinasto tha gjithashtu se gjithçka dinte në lidhje me këtë çështje ishte ajo që është pasqyruar në media.