Biznesi turk shpreh interes të lartë për Shqipërinë
Rreth 100 përfaqësues të biznesit dhe investitorëve më prestigjiozë turq, si edhe mbi 60 përfaqësues të biznesit shqiptar, në praninë edhe të kryeministrit Sali Berisha kanë marrë pjesë sot në Forumin e parë turko-shqiptar të biznesit e ekonomisë, i organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë e Bursave të Turqisë (TOBB) në bashkëpunim me atë shqiptarë.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Turqisë, Ali Babaxhan vlerësoi vizitën e Berishës si shumë të rëndësishme në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera, si edhe në zgjerimin e thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar e të gjithanshëm mes të dy vendeve. Ai rikonfirmoi angazhimin për ti nxitur edhe më tej investitorët turq, për projekte të rëndësishme në Shqipëri si ato në fushën e turizmit, ndërtimit të infrastrukturave, energjisë, në shumë fusha të prodhimtarisë industriale e fason etj..
Vizioni, – vijoi ai – për Ballkanin është të jenë një zone ekonomike, me liri të lëvizjes së mallrave e njerëzve e të gjitha lehtësirat e tjera. Roli i Shqipërisë këtu është kyç. Vetëm kështu mund të garantojmë zhvillim e qëndrueshëm të vendeve tone.
Kryetari i Unionit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë Irfat Hisarchiklouglu u shpreh se, reformat e ndërmarra nga qeveria ia kanë lartësuar imazhin Shqipërisë dhe rritur në nivelet më të larta, interesin e biznesit dhe investitorëve turq për të investuar në Shqipëri dhe për të rritur shkëmbimet ekonomike e tregtare mes dy vendeve.
Në fund të takimit, në prani të Kryeministrit Berisha dhe zëvendëskryeministrit Babaxhan, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Postes Shqiptare dhe asaj të Turqisë, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave, si edhe bashkëpunimin mes Postës së Turqisë dhe asaj shqiptare në shumë aspekte si në implementimin e sistemeve bashkëkohore të transfertave financiare apo implementimin e teknologjive të larta dixhitale në shërbimet që ky institucion ofron.