E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU Te nis bashkimi ekonomik mes Shqiperise dhe Kosoves

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përkrah pa rezerva marrëveshjen e arritur ndërmjet forcave të KFOR-it dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për pikat doganore në pjesën veriore të shtetit. Kjo marrëveshje përbën hapin e parë të domosdoshëm drejt vendosjes së sundimit të ligjit në veriun e Kosovës.

Njëkohësisht, PDIU dënon çdo propozim dhe ide për dhënien e një statusi special për veriun e Kosovës, si një propozim që do të ringjallte konfliktet e vjetra në Ballkan dhe që nuk i shërben të ardhmes evropiane të rajonit.

Çështja e pjesës veriore të Kosovës, nuk është një çështje që i takon vetëm Kosovës por i takon mbarë kombit shqiptar. Si pasojë, çdo tentativë për një status special për veriun e Kosovës do të përballet me një reagim mbarëkombëtar.

PDIU në deklaratën për shtyp ripërsërit thirrjen ndaj Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për nisjen e bashkimit ekonomik mes dy vendeve. Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që dy tregjet të integrohen, duke fuqizuar në këtë mënyrë ekonominë në të dyja vendet dhe duke arritur një kohezion të domosdoshëm kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›