E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiperia destinacioni me i preferuar turistik per maqedonasit

Numri i turistëve nga Maqedonia në Shqipëri ka shënuar rritje edhe gjatë këtij sezoni veror. Sipas zëdhënësit të policisë kufitare Borçe Peshevski, në periudhën janar korrik të këtij viti nga Maqedonia në Shqipëri kanë udhëtuar 165 mijë qytetarë të Maqedonisë. Kjo është shifër më e lartë për 25 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur gjatë kësaj periudhe në Shqipëri kanë udhëtuar 130 mijë qytetarë.

Autoritetet kufitare konfirmojnë se bëhet fjalë kryesisht për turistë, sepse rreth 120 mijë prej tyre në Shqipëri kanë udhëtuar në muajin qershor dhe në muajin korrik.

Njëkohësisht për 20 mijë është rritur edhe numri I qytetarëve të Maqedonisë që kanë udhëtuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Ky numër posaçërisht është rritur në muajin korrik, që tregon se pas ndërtimit të rrugës së kombit shumë turistë nga Maqedonia në bregdetin shqiptarë udhëtojnë përmes Kosovës.

Pas liberalizimit të regjimit të vizave një numër I konsiderueshëm I turistëve nga Maqedonia që pushojnë në qytetet jugore të Shqipërisë, udhëtojnë përmes Greqisë.

Pronarët e agjencive turistike thonë se nuk është shënuar rënie e dukshme e fluksit të turistëve as në gusht, për shkak të muajit të Ramazanit.
Sipas tyre shqiptarët nga Maqedonia që kryesisht I takojnë konfesionit islam tradicionalisht pushojnë më në muajin korrik, kurse maqedonasit preferojnë muajin gusht.

Nëse vazhdon trendi i tillë, sezoni veror 2011 do të jetë sezoni I pestë në të cilin shënohen shifra rekorde të turistëve nga Maqedonia që pushojnë në bregdetin shqiptar.

Paralelisht me rritjen e numrit të pushuesve nga Maqedonia në Shipëri shtohet edhe numri qytetarëve të Maqedonisë që janë të interesuar të blejnë apartamente në Shqipëri. Këtë e dëshmojnë edhe shumë bilborde në Shkup dhe qytetet tjera të Maqedonisë ku reklamohen apartamente që shiten në bregdetin shqiptar. Për dallim prej më herët kur në bregdetin shqiptarë patundshmëri blenin vetëm shqiptarët nga Maqedonia, vitet e fundit shënohet rritje e interesimit edhe te qytetarët maqedonas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›