E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reparti Inspektim-Shpetim Miniera kerkon nderhyrjen per te ndaluar degradimin e minieres se Bulqizes

Reparti Inspektim-Shpëtim Miniera (RISHM), institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kërkoi sot ndërhyrjen e organeve përkatëse, që të sigurohet kontrolli dhe monitorimi i pandërprerë i minierës së Bulqizës nga specialistët e RISHM dhe kompansië konçensionare ACR, për të ndaluar degradimin e saj.

Përmes një njoftimi për shtyp, ky institucion bëri të ditur se minatorët grevistë të ngujuar në nivelin 14, ndodhen në thellësinë 760 metër linear nga sipërfaqja e tokës dhe jo 1400 metra siç është përfolur këto kohë.

Në njoftim theksohet fakti se nga niveli 5 deri në nivelin e 14-të të pusit, shërbimet në minierë (Takimi dhe Stakimi i ventilatorëve të ajrimit dhe pompave në minierë) nuk bëhen nga punëtorët e specializuar të ACR, por nga vetë grevistët, pasi ata nuk lejojnë hyrjen në minierë të specialistëve të kësaj fushe.

Sipas këtij institucioni, kjo përbën shkelje të ligjit “për sigurinë në punë” në veprimtarinë minerare, pasi punëtorët e shërbimit të ajrimit dhe të heqjes së ujërave punojnë pa ndërprerje, si në ditët e festave edhe në pushime.

Ndërkohë, institucioni kërkon të evidentojë pasojat që shkaktohen nga ndërprerja e punës nga minatorët grevistë të minierës. "Pasojat janë: shembja e nënkateve dhe të gjitha armatimeve që kanë qenë në proces pune; mosndezja e ventilatorëve që do të bëjnë të mundur grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në punimet minerare sidomos në punimet qorre duke shkaktuar prishjen e atmosferës së ajrimit në minierë; mosvënia në funksion e pompave për largimin e ujërave nga miniera përbën bllokim total të minierës duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e pajisjeve të makinerive të instaluara në minierë", thuhet në njoftim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›