PDIU hyn në qeveri, por çamët ndahen në dysh

Berisha me dy deputetët ePDIU-së, Tahiri dhe Idrizi
Denis Dedej
Partia për Drejtësi dhe Unitet përçahet në momentin që zyrtarizohet marrëveshja e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Ditën e djeshme kryeministri Berisha ka vendosur që ti japë dy poste zëvendësministrash kandidatëve të propozuar nga partia çame. Por ky vendim duket se nuk është pritur mirë nga deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri, i cili ka shprehur habinë për këto emërime, pasi sipas tij, është njohur për to nga televizionet. I kontaktuar nga gazeta Shekulli, deputeti i Qarkut të Vlorës ka deklaruar se emërimet në qeveri nuk janë konsultuar me degën e zonave të cilët ai përfaqëson. Sipas tij, emërimet janë kryer nga kryetari Shpëtim Idrizi pa u konsultuar me askënd.
Zyrtarizimi
Mesditën e djeshme, në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, në seksionin e vendimeve dhe projektligjeve të miratuara në mbledhje, u njoftua dhe për dy vendime të njëpasnjëshme që zyrtarizojnë marrëveshjen PD-PDIU. Bëhet fjalë për emërimin e dy përfaqësuesve politikë në nivelet e dyta të administratës. Me sa duket, pas disa takimesh dhe negociatash, shpeshherë ato janë bërë edhe publike, Sali Berisha dhe Shpëtim Idrizi kanë mundur që të bien dakord për të këmbyer dy votat në parlament me poste në nivel dytësor në qeveri. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Ardian Tano të emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës; Abaz Hado të emërohet zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë., – thuhej dje në vendimet e miratuara nga qeveria që mbajnë firmën e kryeministrit. Ende nuk dihet se kush do të jenë postet politike të cilat do të drejtohet nga përfaqësues të partisë çame. Në ditët në vijim pritet të zbardhen dhe detajet e kësaj marrëveshje.
Përçarja
Nga ana tjetër, konkretizimi i kësaj marrëveshje duket se nuk është pritur mirë nga deputeti tjetër i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri. Ai i ka konsideruar këto emërime nën siglën e PDIU-së si zgjedhjeve personale të kryetarit Shpëtim Idrizi dhe të cilat nuk janë konsultuar me të. Ai bëri me dije se së bashku më pjesën të madhe të anëtarëve të partisë nuk kishin dhe nuk kanë asnjë dijeni derisa sa panë në titra në TV emërimet e fundit të qeverisë. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, nga adresa e tij elektronike, deputeti i Qarkut të Vlorës kundërshton paktin. Në mungesë të zgjedhjeve të partisë dhe rrjedhimisht të strukturave të saj, deklaroj që ky nuk është një vendim forumesh por një vendim personal i kryetarit. Jam tërësisht i indinjuar të marre vesh këtë lajm nga mediat, tërësisht i indinjuar që vendime të tilla kryen në kundërshtim të plotë me vullnetin vendimmarrës të PDIU,- deklaroi Dashamir Tahiri. Përmes këtij vendimi, sipas tij, nuk është marrë parasysh, Vlora, Saranda si qytete të një qarku që nxori deputetin e parë të PDIU. Gjithashtu ai theksoi se nuk është marrë parasysh në këto emërime as Fieri e Lushnja. Unë deputeti Dashamir Tahiri deklaroj publikisht që nuk bëhem pjesë e këtyre pazareve dhe distancohem nga këto veprime personale të cilitdo qofshin ato,- thuhet në njoftimin e nisur nga deputeti i PDIU-së.
Rusmali uron zgjedhjen e Tahirit në krye të PS-së Tiranës
Zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Partisë Socialiste, dega Tiranë është shndërruar në objekt batutash ndërmjet anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Për një moment, kryetari i këtij Komisioni, Rusmali ndërpreu mbledhjen për ti uruar kolegut të tij fitoren ndaj Ilir Zelës në garën për kreun e ri të PS për kryeqytetin. Komisioni e ndjen të nevojshme të ndërpresë mbledhjen dhe të urojë zotin Tahiri për zgjedhjen e tij kryetar i PS së Tiranës. Siç e kishin njoftuar paraprakisht ne si komision, ne e kishim njoftuar kundër se nuk donim të që na largohej zoti Tahiri dhe të shkëputej me detyrën tjetër. Dhe shpresoj që zoti Tahiri të gjejë kohë që të jetë gjithmonë në komision. Por gjithsesi i urojmë punë të mbarë dhe suksese,- tha Rusmali. Duke kujtuar dhe Aldo Bumçin, me humor, deputeti Fino deklaroi se tavolina e Komisionit të Ligjeve gjithmonë ka prodhuar kryetarë. Ai u bë ministër. Urojmë mos bëhet Ministër i Kulturës, por ndonjë ministër më i rëndësishëm,- tha Fatos Hoxha.
Gjykata Administrative, Rama: Sfida jonë e radhës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar se sfida e radhës në parlament për opozitën do të jetë Gjykata Administrative. Kryesocialisti njoftoi se një grup pune ka gati propozime të cilat do të paraqiten gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare. Besoj që edhe për Gjykatën Administrative ne do të japim një kontribut po kaq të vyer sa çdhamë në procesin e mbyllur me sukses me Kodet dhe do të vazhdojmë të japim energjikisht kontributin tonë që statusi i kandidatit për Shqipërinë të mos kthehet në një fatalitet dhe në një tjetër rast të humbur këtë vit, tha Rama. Lideri i opozitës paralajmëroi që në ditët në vijim të zhvillohen dëgjesa publike me shoqërinë civile për të marrës prej tyre propozime për përmirësimin e mëtejshëm të draftit. Në fjalën e tij, kryetari i PS përsëriti angazhimin e PS për miratimin ligjeve me 3/5 për të ndihmuar sipas tij më mirë organizimin dhe funksionimin e shtetit ligjor.
BE: Angazhimet jo vetëm në letër
Bashkimi Europian kërkoi prej institucioneve shqiptare zbatimin e ligjeve dhe të angazhimeve të marra. Shefi i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Integrimit, Vasilis Maragos, theksoi se për marrjen e statusit kandidatit, duhen jo vetëm plane në letër por mbi të gjitha zbatimi i tyre. Ky nuk është një proces vetëm i plotësimit të një liste me detyra, që i dërgohet Brukselit dhe më pas gjerat të harrohen. Duhen reforma konkrete, ndryshime konkrete që zhvillohen nga institucionet që shpesh kanë edhe ndikim në jetën e qytetarëve. Ne jemi këtu t’ju ndihmojmë por edhe të jemi rigoroz sepse vendet anëtare të BE-së presin nga ne, të jemi rigorozë, pasi siç e dini standardet janë tejet të larta,- tha Maragos. Në fjalën e saj, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, informoi se procesi i rishikimit të Planit të Veprimit ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar, kur Ministria që ajo drejton si koordinatore, dhe Komisioni i Integrimit u angazhuan për rishqyrtimin e Planit të Veprimit prej 12 pikash, por duke i shtuar edhe një bazë të dhënash që do të shërbejë si një element i rëndësishëm për fazën tjetër të procesit të integrimit, hapjen e negociatave.