Topi: Më 2012 do të marrim statusin e vendit kandidat
Presidenti i Republikës deklaroi në Torino të Italisë se në 100-vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria do të jetë më afër Europës
TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi në Torino të Italisë se në 100-vjetorin e Pavarësisë Shqipëria do të ketë marrë edhe statusin e vendit kandidat. Në ditën e dytë të vizitës në Itali, Presidenti i Republikës mori pjesë në veprimtarinë artistiko-kulturore “Shqipëria–Njëzet vjet më pas”, të organizuar në Torino. Gjatë fjalës së mbajtur, Topi theksoi se etapat historike duhet të memorizohen për të bërë edhe dallimin. "Sot pasdite unë dhe mjaft bashkatdhetarë të mi, por edhe shumë miq italianë, patëm rastin të shohim një ekspozitë të thjeshtë, por mjaft domethënëse. Natyrisht që jemi ambientuar, duke parë edhe pamje filmike, që na çojnë pikërisht në vitet 1990-‘91. Prandaj është shumë e rëndësishme që etapat historike të memorizohen për të bërë edhe dallimin, sepse njeriu, me zhvillimet e vrullshme të jetës së tij, ndonjëherë edhe i harron. Kjo lloj kujtese duhet të vlejë shumë për brezin e ri që nuk e ka jetuar atë përvojë”,- tha Topi. Presidenti i Republikës u përqendrua edhe te festa e Pavarësisë. “Jam i bindur që në 100-vjetorin, që do të fillojë menjëherë pas datës 28 Nëntor, të gjithë së bashku do t’i kushtojmë shumë rëndësi këtij jubileu. Unë nuk kam bërë parashikime në politikë, por një gjë e di dhe kam bindje të brendshme. Që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian",- tha ai. Topi theksoi gjithashtu se Shqipëria është vend i NATO-s, duke shpresuar që shumë shpejt ajo të jetë edhe kandidate për në Bashkimin Europian.