PDIU në qeveri, Athina: Të shqetësuar

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke reagon pas emërimit të dy zv.ministrave të PDIU, Tana e Hado.
Athina zyrtare shpr-ehet e shqetësuar pas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të bërë pjesë të saj edhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në një komunikim me mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, tha se qeveria helene po e monitoron situatën, megjithëse kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë. Çështja e përbërjes së qeverisë shqiptare është çështje e brendshme dhe, si e tillë, nuk na takon neve ta komentojmë, tha Delavekuras. Është e vërtetë se PDIU ka shprehur qëndrime që na shqetësojnë dhe bien ndesh me frymën integruese të Shqipërisë. Kemi marrë garanci nga Kryeministri dhe nga Ministria e Jashtme në Tiranë se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Greqinë, shtoi ai. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë konfirmoi edhe një herë qëndrimin zyrtar të këtij vendi për ta ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. Ky është momenti në të cilin Shqipëria duhet të tregojë nëse kjo është e vërtetë dhe marrëdhëniet dypalëshe të vazhdojnë me të njëjtën klimë pozitive. Greqia është e vendosur ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Athina është një aleate e Shqipërisë në këtë rrugë. Pa dyshim që ne mendojmë se një urë lidhëse mjaft e mirë midis dy vendeve është edhe minoriteti grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit janë një ndër kriteret e implementimit të kësaj rruge, e mbylli deklaratën e tij zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. Megjithatë, është e njohur gjithashtu se partia PDIU ka mbajtur pozicione që minojnë mundësitë për përmirësim e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Për këtë arsye ne presim që qeveria shqiptare të konfirmojë në terma konkretë angazhimin e saj në përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Ne duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por një parakusht për këtë është dëshira e ndërsjellë dhe zbatimi praktik i veprimeve që do të tregojnë respektin midis dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Shteti grek i ka kundërshtuar gjithmonë qëndrimet publike të PDIU-së, veçanërisht sa i përket çështjes çame. Prania e partisë së çamëve në koalicionin e djathtë në vitin 2009 bëri që Partia për të Drejtat e Njeriut të kalonte në opozitë. Dy ditë më parë, në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, u miratuan vendimet për të emëruar dy zyrtarë të PDIU-së në funksionet e zv.mini-strave të Arsimit dhe Kulturës. Kështu, Ardian Tano do të jetë zv.ministër i Arsimit dhe Shkencës, ndërsa Abaz Hado zv.ministër të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Megjithatë, pas këtyre emërimeve dolën edhe zërat e parë kundër PDIU-së.
Marrëveshja
Në përfundim të zgjedhjeve lokale nisën negociatat mes Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet për përfshirjen e kësaj force në qeveri. Gjatë kësaj periudhe, PDIU-ja, e cila ka dy deputetë në Parlament dhe fitoi një sërë bashkish dhe komunash më 8 maj, ka marrë edhe disa poste drejtorësh të përgjithshëm. PDIU-ja ishte e vetmja forcë politike e koalicionit të djathtë e cila deri tani nuk kishte funksione të larta publike.
PDIU: Edhe 2 zv.ministra
Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, theksoi dy ditë më parë se kjo forcë politike do të marrë edhe dy poste të tjera në nivel zv.ministrash për të kompletuar marrëveshjen me Partinë Demokratike. Kemi dhe dy zv.ministra të tjerë për të marrë, një zv.ministër të Ministrisë së Drejtësisë dhe një zv.ministër të Ministrisë së Ekonomisë. Ka qenë një moment emocional. Zoti Idrizi ka marrë një mandat ka Kuvendi çam dhe duhet të jetë më i qetë. Partia ka një Kryesi, një program, dhe as Idrizi dhe as Tahiri, nuk duhet ta konvertojnë qenien në Parlament me dëshirën e tyre për të vendosur në dikastere të ndryshme njerëz të ndryshëm, u shpreh Muhedini.