E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU shpall fituesit për varrezat monumentale në Qafë Botë

Varrezat monumentale janë projekti i parë i rëndësishëm që merr formën e realizimit për shqiptarët e Çamërisë që prej gjenocidit dhe spastrimit etnik të ushtruar ndaj tyre në fund të Luftës së Dytë Botërore nga ushtritë greke.

Gjatë kësaj ceremonie, kryetari i komisionit përzgjedhës, Artan Lame theksoi rëndësinë e projektit duke nënvizuar se tashmë shqiptarët e Çamërisë do të kenë një pikë pelegrinazhi për të respektuar martirin e paraardhësve të tyre. “Komisioni përzgjedhës mori në konsideratë mendimet e dhëna nga të gjithë vizitorët e projektit, të cilët dhanë idetë e tyre nëpërmjet librit të sugjerimeve. Kështu, projekti fitues, me ndryshime të bazuara në mendimet e vizitorëve, është në këndvështrimin tonë projekti më i mirë”, tha Lame. 

Çmimin e parë e akordoi kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i cili ishte edhe mbështetësi kryesor i këtij konkursi. Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi se tashmë do të vijohet për realizimin e projektit dhe për këtë do të kërkohet ndihma e të gjithë shqiptarëve, si edhe e qeverisë. “Për realizimin e këtij projekti, natyrisht që shqiptarët e Çamërisë do të kontribuojnë për të vendosur një monument respekti ndaj paraardhësve tanë që humbën jetën vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë. Natyrisht, që kemi mbështetjen edhe të sipërmarrësve e biznesmenëve nga Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare për ta bërë realitet këtë projekt, ndërkaq dy deputetët e PDIU-së do të negociojnë me qeverinë shqiptare që edhe ajo të marri pjesë në realizimin e këtij projekti”, theksoi Idrizi.

Për studiot e projektimit që morën pjesë në konkurs u akorduan katër çmime: Çmimi i parë për Znj. Ronida Myrtaj, Arkitekte dhe Z. Nexhmedin Musai, Piktor; Çmimi i dytë për Znj. Aida Kodheli, Arkitekte; Çmimi i tretë për Gjergji Caca, Arkitekt dhe Z.Amarildo Merizaj, Urbanist dhe Çmimi i Publikut për Z. Idriz Balani, skulptor dhe Z.Alfred Goga, Arkitekt. Projekti që do të realizohet do të jetë një ndërthurrje ndërmjet çmimit të parë dhe çmimit të publikut. Varrezat monumentale e shqiptarëve të Çamërisë në Qafë Botë është vepra e parë që bëhet për ngritjen e një pike përkujtimore në 70 vjet pas dëbimit dhe vdekjes së shqiptarëve nga Çamëria. Gjatë dëbimit të shqiptarëve të Çamërisë, vdiqën nga uria, etja dhe rraskapitja më shumë se 2700 shqiptarë dhe po aq u vranë nga forcat greke. Varreza më e madhe ndodhet në fshatin Kllogjer të Sarandës, aty ku do të ndërtohet varreza monumentale. /Start/

                                                                                             2012-02-04 14:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›