E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU zbardh rezoluten per ceshtjen came

Kërkesa për zgjidhjen e çështjes çame konkretizohet tashmë në një rezolutë, e cila pritet të dorëzohet nesër pranë Kuvendit. Kështu, Partia Për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka publikuar sot këtë rezolutë, ku do të jetë ligjislativi shqiptar ai i cili do të thotë fjalën e tij mbi 13 pikat që përfshin kjo rezolutë. PDIU shpreh bindjen e saj në këtë draft se me vullnet të mirë të të dy palëve, pra Greqi-Shqipëri, ekzistojnë hapësirat e mundshme të negocimit dhe mund të gjenden instrumentat e nevojshëm për konsolidimin e mirëkuptimit nëpërmjet drejtësisë në zgjidhjen eçështjes çame, në interes thelbësor të të dy vendeve e popujve tanë.  Ndërkohë që po sot Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria” protestuan sot tek ambasada greke në Tiranë, në kuadër të 9 dhjetorit, Dita Ndërkombëtare kundër Genocidit. Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar me shkrimet “Duam pronat tona” ndërsa kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes çame. PDIU ka kërkuar nga Greqia të kërkojë falje publike për masakrën e kryer nga ushtritë zerviste dhe të lejojë qindra mijëra pjestarët e komunitetit çam që të mund të shohin shtëpitë e tyre dhe të vendosin lule mbi varret e të parëve të tyre. “Genocidet ndaj çamëve janë e vetmja çështje e pazgjidhur. Greqia nuk e ka njohur genocidin prandaj dhe kërkojmë të vendoset drejtësi” theksuan përfaqësuesit e PDIU-së. Ata kanë shtuar se së shpejti do prezantojnë një rezolutë për çështjen çame në Kuvend e cila do t’i hapë rrugë nismave të mëtejshme zyrtare të qeverisë shqiptare për të kërkuar zgjidhjen e kësaj çështje.
Ja rezoluta e plotë e PDIU për çështjen çame 1. Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve. 2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare. 3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,  4. Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj; 5. Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim; 6. Ngarkon  Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata; 7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnëgratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke. 8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë genocidit grek; 9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;  10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologetë nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;  11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem; 12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare. 13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqisëçështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›