PDK: Dorëheqja e Berishës shpëton vendin dhe të djathtën
Zërat për dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha vijnë tashmë edhe nga partitë e djathta. Partia Demokristiane ka kërkuar dje largimin e menjëhershëm të Berishës, pas një vendimi të marrë në mbledhjen e zhvilluar midis përfaqësuesve të kryesisë dhe deputetëve të grupit parlamentar. Strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokristiane kanë miratuar dje një rezolutë, në të cilën kryeministri Berisha cilësohet si shkaktari i krizës së thellë politiko-ekonomike, i rrezikut që po i kanoset demokracisë shqiptare, i skandaleve korruptive dhe sulmeve ndaj organeve të Drejtësisë. Për këtë arsye, Partia Demokristiane ka kërkuar largimin e menjëhershëm të kryeministrit Berisha. Sipas PDK-së, nëse ndodh një gjë e tillë, e djathta do të ketë shanse që të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Rezoluta
Në rezolutën e miratuar, Partia Demokristiane ka renditur një sërë arsyesh, për të cilat është e domosdoshme dorëheqja dhe largimi i kryeministrit Berisha. “Duke mbështetur fuqishëm kërkesat e vazhdueshme të SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian për forcim të shtetit të së drejtës dhe respekt të Kushtetutës, duke vlerësuar se koalicioni i djathtë ka përgjegjësi historike për të realizuar programin e reformave integruese, duke shprehur shqetësimin se është minuar bashkëpunimi brenda maxhorancës, nuk funksionon tryeza e partive të koalicionit dhe as kontrata politike e bashkëqeverisjes, duke pranuar se ky proces reformash është vënë në pikëpyetje nga skandalet politike dhe problemet e keqqeverisjes, duke rrezikuar seriozisht anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, duke u distancuar qartë dhe prerë nga çdo individ, civil apo zyrtar i lartë shtetëror i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit, duke shprehur nevojën që personat përgjegjës të implikuar në aktin kriminal të Gërdecit dhe raste të tjera të abuzimit me pushtetin, duke vlerësuar se skandalet politike të tipit “Fazlliç“, kanë vënë në dyshim moralin dhe aftësinë qeverisëse të maxhorancës së djathtë, duke njohur detyrimin tonë për respekt dhe transparencë ndaj elektoratit, partive aleate dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, Partia Demokristiane vendosi: Të kërkojë publikisht dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha”, - thuhet në rezolutën e miratuar nga kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokristiane.
Berisha
Kryeministri Berisha cilësohet nga Partia Demokristiane si përgjegjësi kryesor i gjendjes së rënduar në Shqipëri. Sipas PDK-së Berisha ka tradhtuar besimin e dhënë 3 vjet më parë nga shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. PDK-ja i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga mbrojtja që po i bën sekserit Fazlliç, si dhe të mos e pengojë Prokurorinë në hetimet e saj për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit dhe skandalin “Fazlliç”. Partia Demokristiane ka deklaruar se do të mbështes çdo emër potencial të së djathtës për kryeministrin e vendit, por PDK-ja thekson se largimi i Berishës do të jetë shumë i rëndësishëm për arritjen e fitores së të djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. ”Brenda së djathtës ka potenciale të afta për marrjen e përgjegjësive dhe udhëheqjen e të saj drejt një mandati tjetër politik, të bazuar në reforma të thella dhe shpejtim të procesit të integrimit euro-atlantik. Bazuar në këtë realitet, por edhe duke qenë transparente dhe e ndërgjegjshme për vendimin e marrë, Kryesia e PDK-së vendosi të mbështesë çdo kryeministër tjetër të propozuar nga Partia Demokratike, si partia më e madhe e koalicionit të djathtë. Ne jemi të bindur se ky qëndrim i PDK-së përbën rrugën e vetme për forcimin real të shtetit të së drejtës, ruajtjen e miqësisë dhe besimit me partnerët ndërkombëtarë dhe fitoren e mandatit të dytë qeverisës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në verën e vitit 2009”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Demokristiane.
18 Tetor 2008