E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrin komisioni hetimor parlamentar për konfliktin institucional



Deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për konfliktin institucional midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe qeverisë. Megjithëse kjo nismë u deklarua me të madhe nga kryeministri Sali Berisha vetëm disa ditë më parë, deputetët e PD-së duket se janë sprapsur nga kjo nismë. Burime nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë bërë të ditur për gazetën se deklaratat e fundit të faktorit ndërkombëtar në Tiranë kanë bërë që grupi i PD-së të qëndrojë në pritje të një vendimi të fundit për ngritjen ose jo të komisionit hetimor parlamentar. Sipas burimeve, ka mundësi që kjo nismë të mos realizohet për shkak të presionit të jashtëm. Ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian të akredituara në Tiranë si dhe Ambasada e SHBA-ve kanë reaguar kundër kësaj nisme të qeverisë, të cilën e kanë cilësuar përpjekje për të kontrolluar institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Ambasadori Amerikan Xhon Uidhers ka bërë disa deklarata të njëpasnjëshme në të cilat dënon hapat e ndërmarrë nga qeveria. Gjatë ditës së djeshme ai i ka bërë thirrje qeverisë dhe Kuvendit që t’i shikojnë veprimet e fundit si përpjekje për të kontrolluar punën e institucionit të pavarur të Prokurorisë së Përgjithshme. Pikërisht reagimi i faktorit ndërkombëtarë në Tiranë ka sjellë dhe ngrirjen e përkohshme të vendimit për të ngritur një komision hetimor parlamentar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Burime nga ky grup kanë bërë të ditur se zakonisht, kur PD-ja është e vendosur plotësisht për të ngritur një komision, deputetët thirren për të hedhur sa më parë firmat në kërkesën drejtuar Byrosë së Kuvendit. Por kjo nuk ka ndodhur ende në këtë rast. Deputetët e kësaj partie shprehin nën zë se kjo nismë ka mundësi të “harrohet” nga drejtuesit e partisë.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›