PDK, LDK dhe AAK s’kanë qëndrim
Grupi Punues zgjedhor ka dalë me rekomandime lidhur me ndryshimin e ligjit zgjedhor, të cilat gjatë nëntorit do t’i dërgohen komisionit reformues zgjedhor për shqyrtim.
Sipas drejtuesve të grupit punues, pas aprovimit të rekomandimeve nga ana e Komisionit, i mbetet grupit draftues që këto rekomandime t’i formulojë në formë të amendamenteve, në mënyrë që më së largu deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm të jenë të gatshëm t’ia përcjellin Kuvendit të Kosovës.
Anëtarët e grupit punues nuk ka pasur konsensus sa i përket votimit me kusht, ndërsa sa i përket propozimeve për reforma të reja zgjedhore, konsensus nuk ka pasur edhe në aspekte tjera.
Kryesuesja e këtij grupi, Valdete Daka, ka bërë të ditur se gjatë takimit të sotëm ka pasur rekomandime për listat votuese, votimin jashtë Kosovës, përbërjen e KQZ-së në kohën e zgjedhjeve presidenciale, si dhe për vëzhguesit zgjedhor. Sipas saj, për të gjitha këto rekomandime ka pasur qëndrime të ndryshme nga partitë politike.
“Edhe këtu i kemi dy alternativa, kemi alternativën që votimi me postë apo nga jashtë të eliminohet, dhe votimi nga jashtë të mbetet. I kemi dy alternativa po gjithsesi edhe nëse mbetet shumica e subjekteve politike kanë kërkesën që kjo të mbetet vetëm për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet presidenciale, ndërsa për zgjedhjet lokale të mos kemi votim nga jashtë”, ka thënë Daka.
E pyetur nga mediat, për mundësinë e vonesës së këtij procesi, për shkak të mos gjetjes së një konsensusi brenda grupit punues, Daka ka thënë se ky proces nuk do të vonohet, sepse sipas saj, puna e Grupit punues është duke shkuar sipas planit dhe aktiviteteve të parapara.
Ajo ka thënë se në momentin që grupi punues zgjedhor t’i ketë të gjitha rekomandimet, atëherë i mbetet Komisionit për reforma zgjedhore që të kryejë pjesën e vet të punës. Daka ka shtuar se grupi punues ende nuk i ka marrë të gjitha rekomandimet, edhe për sistemin zgjedhor dhe zonat zgjedhore.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Reformat Zgjedhore, Haki Demolli, ka thënë se nga partitë politike është kërkuar që qëndrimet e tyre t’ia dërgojnë grupit punues zgjedhor, më së largu deri më datën 15 nëntor. Ai ka bërë të ditur se qëndrimet e tyre deri më tani i kanë dorëzuar vetëm tri parti politike.
“Dihet se tri partitë politike deri më tani i kanë dorëzuar, kurse partitë tjera si PDK-ja, LDK-ja, dhe AAK-ja kanë qenë në proces të formësimit të qëndrimit të tyre, dhe fatmirësisht sot përfaqësuesi i PDK-së, në takimin e grupit punues zgjedhor u deklarua se i kanë qëndrimet e këtij subjekti politik, besoj se së shpejti do t’i kemi qëndrimet e subjektit të LDK-së, dhe mbetet që edhe përfaqësuesit e AAK-së të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë Demolli.
Ai shpreson se para datës 15 nëntor grupit punues zgjedhor do t’i ketë të gjitha qëndrimet e partive politike, lidhur me zonat zgjedhore.
Sipas tij, kanë mbetur edhe shtatë probleme për të cilat do të debatohet gjatë muajit nëntor nga grupi punues zgjedhor, dhe pas debatit do të dërgohen rekomandimet tek Komisioni për reforma zgjedhore.
Pas aprovimit të rekomandimeve nga ana e Komisionit atëherë mbetet që grupi draftues i cili është pjesë e Komisionit për ndryshimin e ligjit mbi zgjedhje, këto rekomandime t’i formulojë në forma të amendamenteve, të cilat do të diskutohen në komision dhe deri nga fundi i muajit shkurt, respektivisht fillimi i marsit 2012, pritet që amendamentet të jenë të gatshme t’i përcillen Kuvendit të Kosovës. (KosovaPress)