E Shtunë, 31 Tetor 2026

Voskopojë, së shpejti rruga e rikonstruktuar

 

KORÇE – Së shpejti rruga që të çon në zonën turistike të Voskopojës do të ketë pësuar një rikonstruksion të plotë, përfshirë këtu zgjerimin dhe asfaltimin e saj. Për natyrën e mrekullueshme e kurative, vlerat e rralla historike e kulturore dhe mikpritjen tradicionale të banorëve të Voskopojës, ky fshat ka qenë dhe mbetet një nga pikat turistike më të frekuentuara në qarkun e Korçës. Po rruga që të çonte drejt saj, edhe pse ishte e asfaltuar, linte për të dëshiruar. Për këtë shkak, komuna e Voskopojës ka hartuar një projekt për zgjerimin e saj, shmangien e mjaft kthesave dhe asfaltimin e gjithë aksit Voskop-Voskopojë, 17 kilometra e gjatë. Me një fond prej 379 milionë lekë, kanë nisur punimet me ritme të shpejta, për t’u mbaruar brenda muajit nëntor. Banorët e Voskopojë, teksa shohin që ritmet e punës janë të shpejta, shprehen të kënaqur. Ata e quajnë një nga investimet më të rëndësishme që është bërë në këtë fshat, sepse ndërtimi i rrugës së gjerë e të asfaltuar u garanton edhe zhvillim të turizmit. Voskopoja është shumë e frekuentuar jo vetëm nga turistët vendas, por edhe të huaj. Sipas drejtuesve të investimit punimet janë përqendruar në tre fronte kryesore: në asfaltimin e segmenteve rrugore që janë zgjeruar, në ndërtimin e urave dhe zgjerimin e rrugës në afërsi të fshatit Voskop. Mësohet se ka përfunduar zgjerimi në 80 për qind të gjatësisë së këtij aksi, ndërsa asfaltimi në rreth 50 për qind të saj. Duke përfituar nga moti i qëndrueshëm ritmet e punës kanë qenë të shpejta dhe pritet që firma ta dorëzojë objektin brenda muajit nëntor. Voskopoja është një qendër e hershme kulturore e vendit tonë. Në shekullin e XVIII-të ajo ka pasur rreth 30 mijë banorë, ka pasur Akademinë e Shtypshkronjën e saj dhe një rrjet të pasur kishash të ndërtuara dhe zbukuruara me art të rrallë nga mjeshtrit vendas. Një pjesë e këtyre vlerave kanë arritur të ruhen deri në ditët tona.     j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›