E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Presidentit për marrëdhënien me Partinë Demokratike

Shpeshherë ka anashkaluar pyetjet mediatike mbi marrëdhëniet e tij me Partinë Demokratike, por këtë herë, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka preferuar një simbolike domethënëse. Në një bashkëbisedim me gazetarët e "U.S. Nees", dje "World Report", ai e krahason veten me një lojtar që pas karrierës bëhet arbitër. Në vlerësimin e Topit, këtij arbitri do t‘i duhet të japë dhe ndonjë penallti kundër ekipit të vet, duke ndjekur rregullat e arbitrimit. Teksa pohon se vetë ndihet mirë në këtë pozicion ngre dyshime nëse është kuptuar qartë nga ata që e kanë parë ndryshe më parë.

Cilat kanë qenë arritjet tuaja më të spikatura gjatë këtyre dy viteve të mandatit dhe cilat do të jenë përparësitë kryesore?

Aktiviteti i Institucionit të Presidentit të Republikës është pjesë e një infrastrukture të veçantë, kështu që në kontekstin e pyetjes tuaj duhet menduar që sukseset e Presidentit lidhen me suksesin e institucioneve të Shqipërisë. Mendoj që gjatë këtyre dy viteve Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm përpara për sa u përket reformave politike dhe ekonomike. Një ndër arritjet historike të Shqipërisë është hyrja në NATO. Aplikimi për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, stabilizimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve në rajonin ballkanik dhe në këtë kontekst rajonal, arritja më e madhe gjatë këtyre dy viteve është pavarësia e Kosovës. Në planin e brendshëm ka pasur përpjekje madhore për të qenë pjesë e reformave institucionale dhe pa dyshim reforma më madhore është ajo në drejtësi. Arritjet janë të pamohueshme, sikurse konstatohen edhe probleme, të cilat ende kërkojnë zgjidhje. Ndonëse po kalojnë thuajse njëzet vjet, demokracia shqiptare vijon ende të konsiderohet relativisht e re, kështu që çdo ditë kërkohet një impenjim maksimal nga të gjithë përfaqësuesit e politikës që të vazhdohet në rrugën e reformave të demokratizimit të shoqërisë dhe të institucioneve. Këto dy vite unë mendoj dhe konstatoj se kanë kaluar shpejt.

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pikat më pozitive të hyrjes së Shqipërisë në NATO?

Së pari, do të thosha që ashtu si në çdo vend tjetër të Ballkanit, integrimi në NATO nuk është thjesht një arritje e politikës, por një aspiratë e thellë dhe e gjerë e shoqërisë shqiptare. Në rezultatet e zhvilluara rezulton se 95% e popullsisë e kërkonte anëtarësimin në NATO, besoj si në asnjë vend tjetër. NATO pa dyshim i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve garanci të shumta, por mbi të gjitha garanci psikologjike. Unë mund t‘ju siguroj që shqiptarët janë shumë besnikë në Aleancë.

Si i shikoni këto shtylla si katalizatorë për të rritur ekonominë shqiptare?

Gjithçka lidhet me sigurinë. Asnjë investitor nuk do të investonte në një terren të pasigurt. Së dyti, lidhet me standardet. Një vend i NATO-s dhe që do të jetë vend i Bashkimit Europian patjetër që duhet të ketë standarde të sinkronizuara. Ka të bëjë me kushtet për investime, ka të bëjë dhe me investimet në ekonomi. Kështu që futja dhe anëtarësimi në këto institucione do të japë vetëm mesazhe pozitive, për të mos folur në pozicione politike, mund t‘ju them që realisht ka pasur arritje. Gjatë dy-tre viteve të fundit shohim që investimet në Shqipëri janë shtuar shumë. Kjo do të thotë që ekonomia shqiptare përgjithësisht ka resurse të jashtëzakonshme.

Cila është strategjia e tanishme e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian dhe kur mendoni ju se do të ndodhë kjo?

Në fakt, kjo është një rrugë që ka filluar prej vitesh. Është fakt që një vend i dalë nga izolimi nuk mund të integrohet shpejt, ndonëse dëshira e njerëzve është për një integrim të menjëhershëm. Dhe mund t‘ju them që një ndër parullat që dëgjohej më shumë në kohën e revolucionit demokratik, në vitin 1990, pra rreth njëzet vjet më parë, ishte "Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa"! Pra është një ëndërr, një rrugë që e kemi filluar qysh me fitoren e sistemit demokratik në Shqipëri, është një rrugë e gjatë dhe impenjative, dhe pa dyshim që qershori i vitit 2006 i dha Shqipërisë shansin që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me vendet e Bashkimit Europian dhe pas tre vitesh, pra në vitin 2009 ne aplikuam për statusin e vendit kandidat. Unë them që ecuria është pozitive. Nuk mund t‘ju them një datë, sepse nuk jam unë ai që përcaktoj "deadline"-in e këtij procesi, por jam i bindur që është një proces që do të finalizohet sa më shpejt. Të gjithë mendojnë për liberalizimin e vizave, sepse është e natyrshme që njerëzit përpara se të mendojnë për gjëra shumë të mëdha, mendojnë për lëvizjen e tyre të lirë.

Tani që jemi dhe në përfundim të intervistës do të dëshiroja t‘ju pyesja për rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pa diskutim që janë marrëdhënie prioritare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjithë shqiptarët janë aleati më i madh dhe historik dhe besoj që kjo është një ndjeshmëri e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sigurisht që nuk është një histori e re e marrëdhënieve. Është një histori tradicionale. Ne jemi fatlumë që kemi një mik të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet edhe në këtë moment që flasim janë të shkëlqyera.

Dhe të shkojmë te pyetja e fundit, duke pasur parasysh të kaluarën tuaj akademike dhe shkencore në fusha të përcaktuara, si ju ndihmon kjo e kaluar në ushtrimin e detyrës suaj si President?

Ndërmarrjen politike e kam në fillim të viteve ‘90, por në mënyrë aktive pas vitit 1996. Tri herë jam zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Kam qenë dy herë kryetar i grupit parlamentar, një herë i opozitës dhe një herë i mazhorancës. Kam qenë dhe nënkryetar i Partisë Demokratike që është sot në pushtet. Pra, duket që është një karrierë relativisht e gjatë dhe që ka ardhur në mënyrë shumë graduale. Dhe pa dyshim që e gjithë kjo karrierë më ndihmon, më ndihmon për ta parë jetën e institucionit me një sy realist. Nuk mund të shikohen gjërat pa bërë një gjë të tillë. Ndryshe është realiteti jashtë dhe ndryshe në zyrë. Vazhdoj të mbaj kontakte të ngushta me të gjithë dhe me njerëzit e thjeshtë nuk i kam shkëputur kontaktet që kam pasur në mënyrë që informacionin ta marr të drejtpërdrejtë. Pa dyshim që ka një ndryshim nga sjellja politike kur je në Parlament nga sjellja e Presidentit. Presidenti duhet të jetë shumë protokollar, duhet të jetë shumë i ftohtë dhe pa emocione në marrjen e vendimeve. Ndërsa debati politik pa dyshim që të përfshin dhe në diskutime të gjata emotive. Unë e kam kaluar këtë krizë përtej, por nuk e di nëse është tejkaluar nga disa që më kanë parë ndryshe disa vite më parë. Kjo i ngjan lojtarit të një ekipi, që ka pasur tifozët e vet dhe pas karrierës futbollistike bëhet arbitër dhe do i duhet të japë ndoshta dhe ndonjë penallti kundër ekipit të vet, duke ndjekur rregullat e arbitrimit. Megjithatë, unë ndihem mirë. Jam i interesuar që të punoj fort për interesat e njerëzve dhe të Shqipërisë. Dhe fatmirësisht sot ne kemi shumë miq dhe besoj që ndër këta miq jeni dhe ju të dy.

Me shkurtime nga "U.S News"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›