E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Rezultati në Ferizaj, barometër i qeverisjes së mirë

“Edhe njëherë u konfirmua se Partia Demokratike e Kosovës është subjekti më i madh në vend, se ka besimin më të madh të qytetarëve, se ka ofertën më serioze politike dhe se rezultati bindës i djeshëm është pikë referimi për fuqinë politike të Partisë Demokratike të Kosovës në tërë vendin”, ka thënë të hënën zëdhënësi i kësaj partie, Blerand Stavileci, në një konferencë për media. Ai ka shtuar se ende nuk kanë filluar bisedimet me partitë e tjera për lidhjen e koalicioneve të mundshme për balotazh. Stavileci po ashtu ka falënderuar qytetarët e Ferizajt, të cilët sipas tij, kanë treguar kulturë të lartë qytetare gjatë votimit, edhe pse ka pasur disa parregullsi, të cilat ai i quajti të vogla dhe që nuk ndikojnë në prishjen e procesin zgjedhor.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë në një konferencë për media të hënën se rezultati i djeshëm në Ferizaj është barometri më i mirë që tregon se kjo parti ka rritje të besimit të qytetarëve.

“Vota e qytetarëve të Ferizajt është treguesi më i mirë për rritjen e nivelit të besimit për vizionin evropian dhe konceptet e idesë dhe qeverisjes së mirë të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe në mbarë Kosovën. Vota e ferizajasve është barometri më real i vullnetit dhe përcaktimit politik të qytetarëve të Ferizajt, por edhe të mbarë vendit, për shkak të peshës politike që ka ky qytet. Edhe njëherë u konfirmua se Partia Demokratike e Kosovës është subjekti më i madh në vend, se ka besimin më të madh të qytetarëve, se ka ofertën më serioze politike dhe se rezultati bindës i djeshëm është pikë referimi për fuqinë politike të Partisë Demokratike të Kosovës në tërë vendin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nëse e shohim si përqindje të votave që i ka marrë PDK-ja, ajo ka rritje prej 8 për qind, ndërsa sa i përket përqindjes së votave për partitë e tjera, ai këtë dukuri e sheh si shqetësuese te to, të cilat sipas tij, kanë pasur rënie të madhe të votuesve.

Sa i përket koalicioneve, Stavileci ka thënë se ende nuk kanë biseduar me partitë e tjera për lidhjen e koalicioneve të mundshme, pasi që tash sa janë dhënë rezultatet e para dhe ende nuk dihet për rezultatet përfundimtare.

I pyetur nga gazetarët lidhur me parregullsitë që janë shënuar dje, Stavileci ka thënë se është jonormale që të mendohet se nuk do të shënohet asnjë incident i mundshëm. Në këtë drejtim, sipas tij, ka pasur shumë përparim, pasi që janë shënuar vetëm incidente të vogla, të cilat sipas Stavilecit, nuk e prishin procesin zgjedhor.

“Procesi i djeshëm ka treguar përparime të dukshme, ndërsa do të ishte shumë iluzore që secili prej nesh të priste që gjithçka të shkonte në mënyrën më ideale të mundshme. Megjithatë, besojmë se këto parregullsi në asnjë moment nuk e kanë prishur atë që dje është krijuar nga qytetarët e Ferizajt dhe ndoshta për këtë dëshmi më e mirë është, edhe vetë subjektet politike, në momentin kur përfundojë procesi, u mbyllen kutitë, secila prej tyre e lavdëronte procesin, natyrisht me disa parregullsi të vogla”, ka thënë ai.

Stavileci, në emër të partisë, ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë qytetarët e Ferizajt, të cilët dje ishin pjesë e një procesi zgjedhor demokratik, të rregullt dhe korrekt. Sipas tij, qyteti i Ferizajt dhe qytetarët e tij dje, për të satën herë me radhë, e kanë dhënë testin e demokracisë, dëshmuan kulturën dhe pjekurinë e lartë politike dhe civilizuese. Ai po ashtu ka falënderuar të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e tyre që kontribuuan në krijimin e kësaj klime demokratike.

Dje janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Ferizajt, ku qytetarët kanë pasur rastin ta zgjedhin të parin e tyre.

Këto zgjedhje erdhën pasi që ish-kryetari i kësaj komune, Bajrush Xhemajli, kishte dhënë dorëheqje kur Gjykata Supreme e kishte shpallur fajtor për veprën “rrezikim i sigurisë së trafikut rrugor”, pasi në një aksident që Xhemajli kishte pasur në hyrje të Prishtinës, kishte lënë të vdekur një të ri. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›