PDK: Topalli po abuzon me Shqipërinë në NATO
Demokristianët e quajnë të papranueshëm përdorimin fëmijëve për një ngjarje të tillë
TIRANË- Demokristianët akuzojnë Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se po abuzon me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Duke marrë shkas nga maratona e dy ditëve më parë, të organizuar nga Kuvendi më të rinjtë e shkollave nëntëvjeçare, nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja, ka deklaruar dje se, PDK-ja denoncon abuzimin me sinqeritetin e fëmijëve, "duke i përdorur ata politikisht, për gjoja festimet me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO".
"Gëzimin e ligjshëm të kombit shqiptar për këtë arritje me rëndësi të jashtëzakonshme, politikane si nënkryetarja e Partisë Demokratike, zonja Topalli, po përpiqen ta personalizojnë dhe ta partizojnë pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota, në organizatën më të fuqishme politike ushtarake të botës.
Përdorimi i fëmijëve me bluza, ku ishin shkruar, "Unë në NATO", të kujtonte "pionierët e Enverit", që sot mund të quheshin me pa të drejtë "pionierët e Jozefinës"?! Përdorimi i ngjyrës politike të PD-së, blu, në vend të ngjyrës së flamurit tonë kombëtar në bluzat e fëmijëve, ishte një abuzim tjetër me vlerat e vërteta të kësaj ngjarjeje të pakrahasueshme me ndonjë të tillë më parë në historinë tonë kombëtare",- tha dje Beja.
Sipas tij, Partia Demokristiane e vlerëson anëtarësimin në NATO si një moment të rëndësishëm përgjegjësie, për të çuar përpara reformat, për të rritur standardet demokratike, për të forcuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe, mbi të gjitha, për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe korrekt, në standardet e demokracive perëndimore.