Berisha në Bago: Banorët do të qëndrojnë në hotel
KAVAJË - Kryeministri Berisha është zhvendosur dje drejt zonës së Bagoit, ku ndodhi shembja e 6 shtëpive.
Ai është takuar me banorët e fshatit duke iu shprehur keqardhjen për humbjen e shtëpive të banimit dhe makthin që ata kanë përjetuar për orë të tëra. Berisha iu ka kërkuar banorëve të kenë besim tek qeveria, pasi do të merren të gjitha masat për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara dhe për strehimin e tyre deri në kohën kur të ndërtojnë shtëpitë e reja.
Shmangia e tragjedisë njerëzore është cilësuar si shenjë e fatit të mirë që i ka shpëtuar këta njerëz nga vdekja.
Kryeministri iu ka kërkuar autoriteteve lokale të gjejnë një hapësirë për të strehuar familjet e prekura nga katastrofa natyrore.
Deri në kohën kur të vendoset se çfarë do të bëhet me 6 familjet e dëmtuara dhe afro 10 shtëpi të tjera që rrezikojnë të shemben, Berisha ka kërkuar strehimin e tyre në një hotel të Kavajës. "Kryetari juaj do të merret me strehimin tuaj të përkohshëm në ndonjë hotel të Kavajës.
Ai së shpejti do të vendosë edhe për zonën se ku do të zhvendosen të gjitha familjet që rrezikojnë nga rrëshqitja e dherave. Angazhimi i qeverisë sime do të jetë në nivelin maksimal për t'ju ndihmuar",- tha ai. Zona konsiderohet e pabanueshme, pasi qindra metra katrorë tokë janë zhvendosur dhe kanë krijuar kodra e fusha të reja.
Mirëpo, specialistët ekologjikë, gjeologjikë dhe sizmologjikë që kanë ardhur për të studiuar qëndrueshmërine e tokës, kanë konstatuar që e gjithë kodra ka pësuar dëmtime në bazament, për shkak të lëkundjeve dhe zhvendosjes së dheut.
Kryetari i komunës Synej, Përparim Çaça, thekson se "situata paraqitet tepër kritike nga studiuesit, ndaj po bëjmë të gjitha përpjekjet për t'u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar dhe atyre që rrezikojnë. P.Selmani