E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës ngec në zbardhjen e 10 krimeve të rënda

Është fakt, edhe pse i hidhur, për uniformat blu që sakrifikojnë gjumin dhe jetën familjare: dhjetë ngjarje të rënda të ndodhura që nga fillimi i këtij viti, ende kanë mbetur të pazbardhura nga policia e kryeqytetit. Duket se policisë së Tiranës i ka ngecur "gozhda" në vitin 2009, pasi asnjë ngjarje e rëndë nuk po zbardhet dot. Bëhet fjalë pikërisht për raste që ndikojnë jo vetëm në sigurinë publike, por edhe në profesionalizmin e policisë, duke filluar që nga vrasja e një taksisti në fillim të muajit janar, disa grabitje me armë, kërcënimi i një drejtori të huaj banke, e deri tek atentati ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Të gjitha këto ngjarje kanë tronditur opinionin publik, ndërkohë që policia ka deklaruar se po punon për zbardhjen e tyre. Megjithatë, deri tani hetimet nuk "kanë sjellë gjë në dritë". Por, policia e kryeqytetit duket se i ka rregulluar statistikat "e suksesshme" për këto 3 muaj të parë të vitit 2009, duke raportuar zbardhje të ngjarjeve banale, ose të kapjeve në flagrancë të autorëve. Në mënyrën e analizimit të punës së saj, policia përmbledh gjithë veprat penale të regjistruara për një periudhë kohore të caktuar dhe më pas bën bilancin e zbulueshmërisë. Pas kësaj analize, shpesh herë deklarohet se zbulueshmëria e krimeve ka ardhur në rritje, pa treguar se çfarë lloj krimesh janë zbuluar dhe çfarë peshe kanë ato. Aktualisht në këto tre muaj janë kapur plot hajdutë dhe shpërndarës droge të vegjël, por nga dhjetë ngjarje të rënda që kanë tronditur jo vetëm kryeqytetin, asnjëra nuk është zbardhur.
Vrasja e taksistit
Një nga këto ngjarje është pikërisht vrasja makabre e taksistit Ramazan Hyka. Mëngjesin e 8 janarit të këtij viti është njoftuar se një makinë ishte parë e djegur pranë liqenit të Farkës, ku brenda saj ndodhej edhe një kufomë. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shumë uniforma blu, të drejtuara edhe nga krerët e policisë së Tiranës, të cilët sapo ishin emëruar. Policia e mori me vrull këtë ngjarje, por hetimet ngecën dhe deri më sot nuk ka asnjë të ndaluar për vrasjen e taksistit.
Vrasja e grabitësit
Pa kaluar as katër ditë, pikërisht më 12 janar, ndodh një tjetër ngjarje më e rëndë. Dy grabitës hyjnë për të vjedhur banesën e një pronari servisi, ku përplasen me armë. Nga kjo mbetet i vdekur një nga grabitësit. Sipas policisë, pronari i kompleksit "Llanaj" ka qëlluar për vdekje me pistoletë njërin nga dy personat me maskë, të cilët pak pas mesnatës kishin hyrë për të grabitur në pronën e tij private. Ende grupi hetimor nuk ka mundur të gjejë grabitësin tjetër, që ndodhej me viktimën për të vjedhur në banesën e familjes Llanaj. Megjithatë, edhe kjo ngjarje u cilësua nga policia shumë e rëndë dhe tha që po punonte për zbardhjen e saj.
Furgoni i policisë
Megjithatë, një ngjarje tjetër jo kaq e rëndë ka ndodhur më 16 janar. Hajdutët, të cilët mbeten "gangrenë" për policinë, arrijnë deri aty sa vjedhin furgonin e policisë. Burimet policore shpjeguan se janë njoftuar se është konstatuar vjedhja në një furgon me targa TR1225E, i cili është pronë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Mjeti i ishte lënë në përdorim punonjësit të policisë, Lutfi H., i cili gjatë natës e ka parkuar pranë banesës. Por, kur ai është zgjuar në mëngjes, ka vënë re se në furgon, i cili përdorej për transport, nuk ndodheshin disa armë dhe pajisje të tjera policie.
Gjyqtari Nuni
Kulmi i ngjarjeve të rënda arriti më 7 shkurt, kur persona të paidentifikuar kryen atentat ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të natës së të dielës, në lagjen "Komuna e Parisit" në Tiranë, ku dhe banonte. Nuni kishte qenë duke shkuar në banesë, kur është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Dy plumba kanë prekur gjyqtarin Ardian Nuni, një në krah dhe një në këmbë. Policia mori në dorë çështjen, në bashkëpunim edhe me prokurorinë, por sërish mbetet një ngjarje pa autor.
Policët grabitës
Por, sikur të mos kishin mjaftuar këto ngjarje, që ende mbeten pa autorë, një tjetër ka ardhur më 14 shkurt, kur dy persona, të dyshuar si punonjës policie, grabitën një tregtar bulmeti. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 05:00 të mëngjesit, një telefonatë ka mbërritur në sallën operative, ku një person, i identifikuar me emrin Aqif Çaçi, ka deklaruar se e kishin grabitur dy punonjës policie. Ai ka sqaruar se ngjarja ka ndodhur në rrugën nacionale Ndroq-Tiranë, pa vajtur te vendi i quajtur "Lapidari i Pezës". Por, edhe kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur.
Plagosja e pronares
Ndërsa më 18 shkurt dy grabitës sulmojnë pronaren e një dyqani të këmbimit valutor te Rruga e Kavajës dhe e plagosin atë. Rudina Shametaj është sulmuar fillimisht nga dy persona me motor rreth orës 08:20 të mëngjesit, të cilët kanë tentuar t‘i vjedhin çantën e dorës. Grabitësit kanë hasur në rezistencën e saj dhe janë përpjekur t‘i marrin çantën ku kishte të hollat me anë të dhunës fizike. Duke mos arritur dot qëllimin, në ikje e sipër, njëri prej tyre ka goditur me pistoletë në këmbë gruan, duke e lënë të plagosur. Gruaja është dërguar në spital, ndërsa grabitësit që nuk kanë përfituar asgjë nga kjo grabitje, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kërcënimi i bankierit
Një tjetër ngjarje e rëndë ka ardhur më 25 shkurt, kur një drejtor banke, me shtetësi egjiptiane, është kërcënuar në Tiranë. Ehad Shukri Saad, 43 vjeç, lindur në Kajro të Egjiptit dhe banues në rrugën "Muhamet Gjollesha", pranë stadiumit "Dinamo", i cili është me punë drejtor ekzekutiv i Bankës së Bashkuar Shqiptare, deklaroi se familja e tij ishte kërcënuar me jetë. Atij i kishin ardhur disa mesazhe kërcënuese në telefonin e gruas, ku i kërkoheshin 85 mijë euro, ndryshe do i vrisnin vajzën. Edhe kjo ngjarje nuk u zbulua dot nga policia.
Grabiten 20 mijë euro
Më 27 shkurt regjistrohet nga policia një tjetër ngjarje e rëndë në kryeqytet, ku grabitësit arritën të vjedhin me armë 20 mijë euro në një dyqan valutor. Ngjarja e rëndë ndodhi në një subjekt pranë sheshit "Avni Rustemi, ku sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy grabitësit e armatosur janë larguar me një motor. Ata kanë ushtruar presion mbi gruan e pronarit, duke arritur të rrëmbejnë shumën e parave, që sipas burimeve policore kap shifrën e 20 mijë eurove. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por dy grabitësit ishin larguar duke marrë me vete dhe shumën e të hollave.
Maskat në banesë
Një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur në Kamzë vetëm pak ditë më parë, pikërisht më 12 mars. Dy persona me maska kanë hyrë në banesën e farmacistit Petrit S., 53 vjeç, ku në ato momente ndodhej vetëm bashkëshortja e tij. Ata kanë kërcënuar gruan 51-vjeçare, Behie S., të cilën e kanë lidhur me litar në një karrige dhe kanë nisur kontroll në gjithë banesën, për të vjedhur çfarë mund të gjenin brenda. Kështu, në sirtarin e një komoje kanë gjetur rreth 1 mijë euro të fshehura dhe i kanë marrë duke u larguar pa u hyrë ferrë në këmbë.
Peng dhe përdhunim
Ndërsa më 14 mars është denoncuar një tjetër rast, ku një vajzë e re ka deklaruar se ishte marrë peng dhe përdhunuar. Ajo ka rrëfyer se disa ditë më parë, pikërisht më datë 10 mars, ka qenë duke ecur në rrugën "Ylbere Bylykbashi", kur një makinë, tipi i së cilës nuk deklarohet nga policia për arsye hetimore, i ka ndaluar para këmbëve dhe e ka rrëmbyer. Vajzën e re e kanë çuar në një hotel, ku e kanë përdhunuar. Pavarësisht dëshmisë së vajzës, policia ende nuk ka mundur të prangosë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›