Postet e reja, natë e gjatë për vendimin e BE-së
Mbrëmë liderët e BE-së kanë nisur një takim që mund të ketë zgjatur deri në orët e vona të natës, për të vendosur për pozicionin e Presidentit dhe ministrit të ardhshëm të Jashtëm të Bashkimit Europian. Kryeministri suedez, Fredrik Reinfeld, që ishte drejtuesi i takimit të BE-së, tha në fillim të tij se pavarësisht përpjekjeve më të mira dhe ndërmjetësimit me liderët e BE-së, nuk kishte arritur që t‘i bënte ata në një mendje në lidhje me kandidatët që do të përfaqësojnë botën në emër të BE-së. Para takimit ai u shpreh se ndoshta do të duhej të kalohej e gjithë nata për arritjen e një vendimi përfundimtar dhe se lista e kandidatëve është shumë e gjatë. "Kemi shumë divergjenca në mendime dhe gjykime", ka thënë Kryeministri suedez. Për sa i përket Traktatit të Lisbonës, ai hyn në fuqi më 1 dhjetor dhe të dy postet e krijuar prej tij kanë si qëllim që të rrisin ndikimin dhe rolin e Bashkimit Europian në arenën ndërkombëtare e veçanërisht në përballjen me fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, në lidhje me çështjet e ndryshme si klima, tregtia apo çështjet financiare. Kancelarja gjermane, Merkel, ka refuzuar që të tregojë parapëlqimin e saj kur mbërriti në Bruksel. "Ne sigurisht që duam një kandidat shumë të aftë dhe të pranueshëm, por për të do të duhet gjithashtu një pranim me një konsensus të gjerë nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian", ka thënë ajo dje, para mbledhjes me gazetarët, pa përmendur ndonjë emër të caktuar. Edhe Franca nuk ka dhënë ndonjë emër deri tani për kandidatin preferencial. Liderët e Bashkimit Europian po përpiqen që të gjejnë balancën e duhur mes vendeve të mëdha dhe të vogla të organizatës, mes më të varfërve dhe më të pasurve, mes Lindjes dhe Perëndimit, socialistëve dhe konservatorëve. Ligjvënësit dhe protestuesit e ndryshëm bëjnë pyetjen se përse deri më tani ka vetëm një emër gruaje në listën e kandidatëve për postin e Presidentit të BE-së, ajo e ish-presidentes letoneze. Për sa i përket postit të Presidentit, një nga kandidatët për të është Kryeministri belg, Herman Van Roumpuy. Para takimit të djeshëm ai u takua me Mbretin Albert, për të diskutuar në lidhje me zgjedhjen e mundshme. Britania, nga ana tjetër, e refuzon këtë kandidaturë, duke mbështetur Toni Blerin, ish-kryeministrin e luftës në Irak. Vende të tjera si Franca e Spanja janë në favor të një personi me profil më të ulët, një personi të denjë për të drejtuar mbledhje dhe për të pritur njerëz të nivelit të lartë. Vendet më të vogla të BE-së e neveritin idenë e Blerit, pikërisht për mbështetjen që ai i dha një lufte të padrejtë si ajo në Irak. Mundësi të tjera janë kandidaturat e Kryeministrit holandez, të Luksemburgut apo Presidentit estonian, Toomas Ilves. Kandidatja e vetme femër deklaroi se nëse një grua nuk do të zgjidhet në njërin nga të dy postet, atëherë ky do të ishte një turp për BE-në dhe një zhgënjim për ata që luftojnë për barazinë gjinore.
Bashkimi Europian ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar për sa i përket negocimit të personave që kanë zënë ndër vite poste kyçe. Në vitin 1994, liderët e vendeve të BE-së kaluan 12 orë të mbyllur për të vendosur Presidentin e Komisionit Europian. Në vitin 1998 ata kaluan edhe 12 orë të tjera për të zgjedhur shefin e parë të Bankës Qendrore Europiane.
Bashkimi Europian ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar për sa i përket negocimit të personave që kanë zënë ndër vite poste kyçe. Në vitin 1994, liderët e vendeve të BE-së kaluan 12 orë të mbyllur për të vendosur Presidentin e Komisionit Europian. Në vitin 1998 ata kaluan edhe 12 orë të tjera për të zgjedhur shefin e parë të Bankës Qendrore Europiane.