E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK feston fitoren në Gjilan

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Gjilanit, përballë kandidatit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatmir Rexhepi. Rezultatet i ka bërë të ditura kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta,

e cila ka thënë se kandidati i PDK, ka fituar 58 për qind të votave. Sipas shënimeve, të cilat i kemi marrë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Gjilan, rezultati është si vijon: Partia Demokratike e Kosovës, kandidati Qemajl Mustafa, ka fituar 20 mijë e 71 vota, gjegjësisht 58 për qind të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Fatmir Rexhepi ka fituar 14 mijë e 506 vota, gjegjësisht 42 për qind të votave, ka deklaruar Lushta, për të shtuar se në këto rezultate nuk hyjnë votat me kusht, të cilat nënkuptojnë votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat përmes  votimit me postë. Sipas saj, këto vota do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe brenda javës do të publikohen rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga numri prej 87 mijë e 430 votuesve potencialë të Gjilanit, numri i nënshkrimeve në listën përfundimtare të votuesve ka qenë 35 mijë e 140 votues. Lushta ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk posedon ndonjë informatë se ka pasur parregullsi eventuale gjatë procesit të votimit në Gjilan. Unë nuk kam informata se ka pasur parregullsi. Deri në këtë moment, nuk kam marrë informata të tilla. Do të thotë, nëse ka pasur parregullsi, ato do të zgjidhen përmes ankesave që do të dërgohen në KZAP (Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa). Incidente nuk ka pasur dhe as parregullsi të mëdha, që do të ndikonin në procesin e zgjedhjeve. Me sa kemi marrë ne informata, nuk kanë ndodhur, ka thënë Lushta. Për zgjedhjet e përsëritura për herë të dytë për kryetar të komunës së Gjilanit kanë qenë të hapura 127 vendvotime, të cilat janë mbyllur në orën 19:00, të ditës së diel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›