E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier/ Qytetarët, padi në Prokurori ndaj task forcës së OSSH

OSSH gjobiti 25 familjarë për prishje të vulave të sahateve. Qytetarët: Çelësin e kanë vetëm faturistët  

25 banorë të lagjes Kryengritja në qytetin e Fierit kanë paditur Taks Forcën e OSSH-së që operon në Fier. Burime nga policia dhe prokuroria e Fierit bënë të ditur se dosja ndaj ekipit të task-forcës së OSSH pritet që së shpejti do të shkojë në Gjykatën e Shkallës Parë të Rrethit Gjyqësor Fier. Lajmi konfirmohet si nga prokuroria dhe Drejtoria e Policisë

së Fierit e cila ka marrë kallëzimin e 25 banorëve të lagjes Kryengritja në Fier disa kohë më parë. Këta 25 banorë, pasi kishin marrë fatura me gjobë deri në 20 mijë lekë të reja nga taks forca e OSSH-së kanë shkuar në zyrat e saj në Fier për të marrë sqarim se përse u ishte vendosur gjoba. Kallëzimi i këtyre banorëve ndaj OSSH merr spunto pas gjobitjes së tyre me 20 mijë lekë të rinj pikërisht nga OSSH. Pak kohë më parë, në bokset ku ndodhen matësit në pallat, ishin prishur disa vula plastike të matësve. Ashtu si në shumë pallate, bokset janë me dry dhe çelësin e kanë vetëm faturistët, të cilët e hapin një herë në muaj për të parë sahatët. Banorët ankohen se në këtë rast duhet të ishte task forca e OSSH-së që duhet të kryente padi dhe të gjente personin që kishte vënë dorë mbi matësit e energjisë duke u prishur vulat. Por ka ndodhur e kundërta. Janë gjobitur familjarët, të cilët më pas kanë paditur OSSH. Banorët pohojnë se kjo është e padrejtë pasi për më tepër, mbi bokse nuk është përdorur forcë dhe kjo do të thotë se ata janë hapur me çelës. Por duke qenë se nuk u është dhënë asnjë sqarim, ata kanë kryer padinë përkatëse në prokurorinë e rrethit. Banorët e gjobitu përjashtojnë mundësinë që bokset të jenë hapur nga ndonjë prej tyre, pasi çelësat i kanë vetëm faturistët. Ndaj ata dyshojnë se kjo mund të ketë qenë edhe lojë e faturistëve, të cilët mundë të jenë orientuar prej shefave të tyre që të vendosin gjoba deri në 20 mijë lekë të reja me qëllim që të mbulojnë humbjet  që ka kjo kompani.

Kallëzimi
Zyra e luftës kundër krimit ekonomiko financiar pranë drejtorisë së policisë së Fierit ka marrë kallëzimet e 25 banorëve që janë gjobitur me shumën e 20 mijë lekëve të rinj nga taksa forca e OSSH-së në Fier. Prokuroria e Fierit, denoncimin e 25 banorëve ia delegoi ekipit të taks forcës që ka ky institucion, ndërkohë që orientoi banorët që një denoncim duhet ta kryenin edhe në zyrën e luftës kundër krimit ekonomiko financiar pranë drejtorisë së policisë së Fierit. Burime të besueshme nga zyra e luftës kundër krimit ekonomiko financiar në drejtorinë e policisë së Fierit pohuan për gazetën se është e vërtetë që 25 banorë kanë kryer padi ndaj ekipit të taks forcës së OSSH-së Fier. Ne i kemi marrë në pyetje dhe problemi qëndron se në disa bokse pallatesh janë prishur vulat plastike të matësve ndërkohë që çelësin e këtyre bokseve e mbajnë faturistët. Duke parë problemin në fjalë, ne si sektor u morëm kallëzimet dhe dosjen e kopsitur e nisëm në prokurori, e cila po kryen hetimet rreth problemit në fjalë, pohuan burimet, duke shtuar se qytetarët kanë kryer kallëzim edhe ndaj disa faturistëve të energjisë elektrike, të cilët kanë faturuar energji më shumë se sa kanë harxhuar. Prokuroria e Fierit po zhvillon hetime intensive, të cilat janë drejt përfundimit. Prokuroria aktualisht vazhdon të marrë në pyetje punonjësit e taks forcës së OSSH-së për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth këtij problemi ndërsa shumë shpejt dosja pritet ti kalojë Gjykatës së Fierit.

Drejtori i OSSH: Nuk jam i autorizuar të jap informacion
Zyra e NTL, ose taks forca e OSSH ndodhet pranë zyrave të OSSH-së në Fier dhe nuk ka varësi nga OSSH-ja e Fierit por direkt nga qendra në Tiranë. Një prej punonjësve të kësaj zyre, e pyetur rreth këtij problemi, nuk ka pranuar të japë asnjë sqarim, duke u shprehur se nuk është e autorizuar ta bëjë një gjë të tillë. Nuk jam e autorizuar që të jap sqarime. Ato mund të merren vetëm në zyrën e informacionit në qendër në Tiranë, u shpreh punonjësja. Ndërkohë, në ato ambiente mësohet se disa punonjës të ekipit të taks forcës së OSSH-së i pohuan përgjegjëses së tyre se duhet që të përpilonin një shkresë zyrtare që ta dërgonin në Prokurorinë e Fierit që kjo e fundit të mos i thërriste me dhe pa orar pasi u pengonin edhe zhvillimin e punës. Jemi në dispozicion të organit të akuzës çdo ditë nga ora 8:00-10:00 por më pas shkojmë në zona ku ka problem pune, janë shprehur punonjësit, ndërsa janë në pritje të përpilimit të kësaj shkrese zyrtare që duhet të mbërrijë në prokurori. Punonjësja e kësaj zyre nuk na ka vënë në dispozicion as emër personi për të kontaktuar dhe as numër telefoni pasi ka pohuar se nuk është e autorizuar për sqarime të tilla për median. Po ashtu, dhe drejtori i OSSH-së në Fier, Sotir Sinani nuk ka pranuar që të prononcohet rreth problemit në fjalë. E kemi të ndaluar nga shefat tanë në Tiranë por mund tju pohoj vetëm se është ngritur struktura financë01 e cila ka për detyrë të ndjekë arkëtimet e prapambetura deri në datën 31 dhjetor 2009, debite të cilat duhet të bëhen zero, ka pohuar drejtori.

Xhemil Beharaj 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›