E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibali: Statusi i minatorit, jemi të hapur për diskutime

Zëvendës Ministri i Ekonomisë ka shpjeguar minatorët se ky institucion është i hapur për çdo rekomandim në lidhje me statusin e minatorit. Reagimi i ministrisë erdhi menjëherë pas mbledhjes së minatorëve para Kryeministrisë në një protestë paqësore. Zëvendës ministri i Ekonomisë,

 Tregtisë dhe Energjitikës, Neritan Alibali rikonfirmoi ngritjen e grupit të punës për të studiuar mundësitë për realizimin konkret të Statusit të Minatorit dhe hapat që do të ndjekë ky grup për arritjen e këtij qëllimi. Sipas Alibalit ky grup është ngritur në përputhje me urdhrin e dhënë nga Kryeministri Berisha për këtë qëllim dhe se ai ka nisur nga puna me legjislacionin për çështjen e Statusit të Minatorit, një ligj ky tepër i rëndësishëm për vendin tonë. Ministria kërkoi bashkëpunimin e grupeve të interesit, në mënyrë që të arrihet në kompromis dhe që Statusi i Minatorit të jetë një ligj në përputhje me ligjet e vendit. Sipas Alibalit, grupi i punës do të nisë takimet me sindikatat, në mënyrë që ligji të plotësojë problematikat.  Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit minatorët kanë protestuar përpara kryeministrisë për statusin e tyre si dhe për rritjen e kostos së jetesës. Kryetari i sindikatës së minatorëve Fiqiri Xibri deklaroi se do ti shkojnë deri në fund kërkesave të tyre që janë jetike për këtë shtresë të nëpërkëmbur nga qeveria.  Sipas tij për sa kohë që nuk do të plotësohen kërkesat e minatorëve nuk do të ndërpriten protestat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›