E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK kërkon seancë të jashtëzakonshme ne Kuvend

PRISHTINË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me 46 nënshkrime të deputetëve, jo vetëm të kësaj partie, kërkoi sot seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për situatën e sigurisë që e konsideroi ''të jashtëzakonshme''.
“Kërkojmë që sot në orën 14:00 të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme, meqë është një situatë e jashtëzakonshme e sigurisë në Kosovë”, tha kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Ramë Buja.
Kërkesa vjen pas deklaratave publike për krimet e pasluftës në Kosovë, të cilat po i heton EULEX-i.
“Është e domosdoshme të sqarohen gjërat që janë për t’u sqaruar”, tha Buja.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se ''kryesia e Kuvendit e ka pasur pak më parë në shqyrtim kërkesën dhe ka qenë e mendimit që për këtë të ketë një seancë të rregullt, jo sot, por mundësisht të shtunën''.
Grupet e tjera parlamentare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) mbështetën qëndrimin e Kryeisisë për seancë të rregullt duke theksuar se deklaratat për krimet janë çështje e drejtësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›