E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Transparenca, detyra e politikës

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha sot se nuk ka detyrë më të rëndësishme për politikën se sa të bëjë transparencë për çdo gjë, duke përfshirë jetën e politikanëve, vendimet dhe veprimet e tyre.
Në fjalën e hapjes së seminarit rajonal të Sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor "mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit", Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se sfida jonë është që parlamenti të mund të zhvillojë një rrjet komunikimi me qytetarët, për nxitjen e dialogut dhe përfshirjen e tyre në debate apo çështje legjislative.
"Vetëm nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit, parlamenti mund të fokusohet në të drejtën e qytetarëve për akses në informacionin publik, në detyrimin për transparencë dhe llogaridhënie, si dhe në ngritjen e urave lidhëse mes parlamentarëve dhe zgjedhësve", u shpreh znj. Topalli.
Duke folur për transformimin rrënjësor në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me teknologjinë e informacionit, znj. Topalli vuri në dukje se ky është transformim që po ndodh në gjithë Shqipërinë.
"Shqipëria dixhitale' është një prioritet i qartë edhe gjatë këtij katërvjeçari për qeverinë, ndaj dhe fondet për këtë projekt janë pesëfishuar, duke bërë që çdo shkollë në Shqipëri të ketë laboratorin e saj informatik dhe lidhjen në internet", u shpreh kryeparlamentarja.
Duke folur për investimet e bëra në parlamentin e Shqipërisë, falë mbështetjes së projekteve të OSBE-së, si implementimi i rrjetit bashkëkohor kompjuterik në gjithë godinën e Kuvendit, punën për Data Base-in e ligjeve, si dhe një bazë tjetër të dhënash që shumë shpejt do të jetë funksionale, ajo e seancave të Pyetjeve dhe Interpelancave, Kryetarja Topalli tha se këto do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ligjeve të miratuara, si dhe në rritjen e transparencës.
Aktiviteti për teknologjinë e informacionit, i mbajtur sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, është një nismë e Sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe organizohet në kuadrin e projekteve mbështetëse parlamentare së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Misionit të OSBE-së në Malin e Zi.
Seminari mbështetet gjithashtu edhe nga projekte të ngjashme të Misioneve të OSBE-së në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Serbi. Ekspertët nga parlamentet e Sllovenisë, Austrisë dhe Estonisë ndanë përvojën e tyre me pjesëmarrësit në këtë takim.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›