Kompensimi, shtyhet ndarja e fondeve
BLEDAR HOTI
Fondet e ish-pronarëve fitues për këtë vit rrezikojnë të mos shpërndahen brenda dhjetorit. Kur kanë kaluar dy javë nga shpallja zyrtare e 211 fituesve, që përfitojnë nga kompensimi financiar, deri më sot asnjë prej ish-pronarëve nuk ka marrë akoma as dhe një qindarkë. Kreu i AKKP-së, Elvis Çefa, gjatë një prononcimi për median u shpreh se ende nuk ka nisur procesi e shpërndarjes së fondeve të përfituesve të fondit të 2009 në llogaritë e tyre bankare. “AKKP është në fazën e administrimit të numrit të llogarive përkatëse. Jo të gjithë subjektet përfitues, pra jo të gjithë 211 fituesit, kanë depozituar numrat e llogarive. Ne presim që këto depozitime të përfundojnë dhe pastaj menjëherë të bëjmë dhe kalimin e parave në llogaritë përkatëse”, tha Çefa. Burime pranë AKKP-së bëjnë të ditur se përpos kësaj mangësie, mësohet se ende nuk janë zbardhur të plota vendimet për shpalljen e fituesve që përfituan nga ndarja e fondit prej 1.2 miliardë lekësh të reja. Mbi bazën e kësaj situate, shpërndarja e parave mund të rrezikojë që të mos mbyllet brenda muajit dhjetor. Të 211 ish-pronarët mund t’i marrin paratë në fillim të muajit janar të vitit 2010. Edhe vitin e kaluar ish-pronarët fitues të vitit 2008 i morën fondet e tyre vetëm muajin shkurt të vitit 2009. Kjo për shkak të këtyre pengesave procedurale që u hasën në shqyrtimin e dosjeve të paraqitura.
Miratimi i ligjit
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me debate ndryshimet në draftin e qeverisë “Për kthimin e kompensimit të pronave”. Shkak i debateve në komision, neni 4 ku i jepej e drejta që vendimi i AKKP-së të animohej në gjykatë nga përfaqësuesit e ish-pronarëve mbi truallin. Një pikë e tillë është kontestuar nga ana e deputetit të PD-së, Eduart Halimi, i cili kërkoi që të mos lihet që kushdo të ankimojë vendimin e AKKP-së. “Sjell kaos një gjë e tillë. Sepse çdokush mund të godiste vendimet e AKKP-së dhe procesi bëhet kaotik. Duhet të ruajmë traditën që ne kemi që me ligjin e 2004. Propozoj të vendosim që të drejtën e ankimimit e kanë subjekti i interesuar dhe Avokati i Shtetit”, tha Halimi. Një gjë e tillë është kontestuar nga ana e ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili theksoi se mund të ketë edhe një palë të tretë që mund të ketë interes të kontestojë vendimin e AKKP-së. “Mund të jetë ndonjë firmë koncesionare që ka marrë tokën e dhënë nga shteti dhe ia merr subjekti i shpronësuar me vendim të AKKP-së. Këtë nuk mund ta shmangim nga e drejta e ankimimit në gjykatë”, tha demokrati Alibeaj. Kryekomisioneri
Rusmali insistoi që të realizohet ky sanksionim i tillë, ku të drejtën e kundërshtimit të vendimit të AKKP-së e ka subjekti i interesuar që ka paraqitur kërkesën, si dhe Avokati i Shtetit. Kjo, 30 ditë pas shpalljes së vendimit. Me kërkesë të kreut të AKKP-së, Çefaj, u shty afati në 60 ditë i shpërnguljes së arkivës në Tiranë. Kjo për shkak se janë 70 mijë dosje në 12 zyrat rajonale që duhen të sillen në zyrën qendrore.
Debati në komision
Eduart Halimi: Duhet të ndryshojmë nenin 4, pasi ky formulim sjell kaos në procesin e njohjes së pronave. Kjo sepse çdokush mund të godiste vendimet e AKKP-së dhe procesi bëhet kaotik. Duhet të ruajmë traditën që ne kemi që me ligjin e 2004. Nuk mund të kemi padi pa fund ndaj vendimeve të AKKP-së dhe procesi gjyqësor, ashtu si njohjes së pronave, duhet të jetë fundor. Propozoj të vendosim që të drejtën e ankimimit e kanë subjekti i interesuar dhe Avokati i Shtetit. S’mund të përfshihen personat që s’janë palë në këtë vendim.
Marsida Xhafellari: Ankimi sipas dispozitës aktuale bën fjalë për ankimin administrativ dhe atë në gjykatë. Ajo që kemi bërë me nenin 18 është heqja e ankimit administrativ për shkak të ristrukturimit sepse nuk kemi më zyra rajonale të AKKP-së.
Enkelejd Alibeaj: Ankimimi nuk duhet të kufizohet, pasi ka dhe palë të tretë. Mund të jetë ndonjë firmë koncesionare që ka marrë tokën e dhënë nga shteti dhe ia merr subjekti i shpronësuar me vendim të AKKP-së. Këtë nuk mund ta shmangim nga e drejta e ankimimit në gjykatë. Kjo do të thotë që ai s’ka asnjë lloj të drejte për të ankimuar këtë vendim. Pse mos të ketë të drejtë të shkojë në gjykatë, pala e tretë.
Ilir Rusmali: Nëse i cenohet e drejta koncensionarit, ka të drejtë të shkojë në Gjykatë? A ka një kontratë që ju civilistët i thoni ka vlerën e Kodit civil, kontrata është mbret. Të mbrohet me instrumentin e vet, pse duhet të mbrojë instrumentin e shtetit. Të mbajë instrumentin e vet, të mbrojë kontratën, të shkojë në Arbitrazhin Ndërkombëtar dhe t’ia shkulë dhëmbët kujt t’i dalë përpara. Përdora një fjalë politike për çështje civile, më falni.
Marsida Xhafellari: Unë propozoj që të bëhet që “Vendimi i AKKP-së mund të ankimohet brenda 30 ditëve në Gjykatën e Tiranës nga subjekti i shpronësuar dhe Avokatura e Shtetit”.