E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK nuk mund të kushtëzohet

Deputetin i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka thënë për Kosovapress se PDK-ja nuk mund të kushtëzohet nga një subjekt politik që është i katërti në përfaqësim në Kuvend, siç është AAK.

Sipas tij, PDK-ja që nga fillimi ka qenë pjesë e proceseve politike dhe po të niste me logjikën e kualifikimeve supozuese e aluduese në grupin e komunistëve, ish-shërbëtorëve të sistemit të kaluar, ish-bashkëpunëtorëve të strukturave të sigurimit, vështir që do të krijohej bashkëqeverisje së paku edhe për 10 vite.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku i pyetur rreth deklaratave të disa zyrtarëve të AAK-së, se do të hynin në koalicion me PDK-në vetëm pa ish-zyrtarët e SHIK-ut, të cilët tani janë pjesë e PDK-së, ai ka thënë se PDK-ja nuk mund të kushtëzohet nga një parti e cila renditet e katërta në Kosovë për nga përfaqësimi në Kuvend.

“Nëse i kthehemi retrospektives, AAK shumë herë ka bërë shaka. PDK nuk mund të kushtëzohet nga një subjekt politik që është i katërti në përfaqësim”, ka theksuar Demaku. Sipas tij partitë politike duhet të krijojnë një kulturë dhe sjellje demokratike ndaj oponentit politik.

Deputeti Demaku ka thënë se PDK, gjithnjë ka qenë pjesë e proceseve dhe po të ishte marrë me kualifikime të ndryshme, nuk do të hynë në bashkëqeverisje së paku edhe 10 vite.

“PDK që nga fillimi ka qenë pjesë e proceseve politike dhe po të niste me këtë logjikë të kualifikimeve supozojmë si: grupi i komunisteve, ish shërbëtorët e sistemit të kaluar, ish-bashkëpunëtorët e strukturave të sigurimit serb, të patrioteve e veprimtarëve kombëtarë, vështirë që do krijohej bashkëqeverisje në këtë vend së paku edhe nja 10 vite”, ka thënë ai.

Për më tepër ai ka shtuar se në asnjë mënyrë nuk tërheq paralele me ish-Shërbimin Informativ të Kosovës që është krijuar nga UÇK-ja në rrethana të jashtëzakonshme si domosdoshmëri për kohën deri në bërjen e shtetit. Ai nga perspektiva e tanishme e sheh vetëm në kontekstin historik dhe në asnjë formë si reflektim në të tanishmen.

Ai mendon që sharjet, propaganda dhe demagogjia e tillë për SHIK-un është gjuha e atyre që s’kanë ide vizion dhe koncept të qartë për alternativat e politikave zhvillimore dhe perspektiven e vendit.

I pyetur se a i duhet Kosovës koalicioni PDK-AAK, apo duhet të vazhdojë formati i tanishëm qeverisës, Demaku thotë se për këto çështje merr vendim kryetari i PDK-së.

“Koalicioni është diçka tjetër në raport me marrjen e përgjegjësive shtetërore. Sa i përket koalicioneve, qëndrimet e Kryeministrit, njëherit Kryetarit të PDK së, zotëri Thaçit janë edhe qëndrime tona”, ka thënë ai.

Sa i përketë çështjes nëse partitë politike kanë anashkaluar tema të rëndësishme si veriun e vendit dhe bisedimet me Serbinë, duke u marrë me deklarata për koalicione, deputeti Demaku ka thënë se përsa i përket veriut të vendit hapa konkret janë ndërmarrë prej se qeverisë PDK-ja. “Të gjithë pajtohemi se nuk janë të mjaftueshëm. Duhet bërë shumë më tepër dhe jam i bindur se do të bëhet. Ata që s’kanë bërë asgjë për veriun e vendit kur kanë qeverisë do ishte mirë të flisnin më pak e të angazhoheshin më shumë”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse thirrjet e kryeministrit Thaçi për bashkim si në Rambuje, janë paralajmërim i një koalicioni të gjerë qeverisës, apo vetëm bashkim i politikës në dialog me Serbinë, deputeti Demaku thotë se kryeministri kërkon unifikim dhe marrje të përgjegjësisë përballë obligimeve shtetërore.

“Kryeministri Thaçi, si përfaqësues i të gjithëve nga pozita e tij ka kërkuar unifikim dhe marrie përgjegjësie nga të gjithë akterët politikë me të vetmin qëllim që Republika e Kosovës të përfaqësohet dhe të prezantohet denjësisht në çdo rast. Kjo është mbi politikat e partive është përgjegjësi shtetërore që të obligon e jo të qëndrosh spektatorë me gishta në gojë, i gatshëm për të fishkëllyer”, ka theksuar deputeti Demaku.

Ndryshe deputet i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku është deputeti i PDK-së, i zgjedhur në legjislaturën e fundit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›