PDK nuk shqetësohet për vlerësimin negativ të zgjedhjeve
Vlerësimet negative për zgjedhjet që u dhanë nga deputetet e Parlamentin Evropian si dhe kontestimi i tyre nga disa subjekte politike të vendit, duket se nuk e shqetësojnë Partinë Demokratike të Kosovës.
Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi tha se zgjedhjet kanë lënë hapësirë për përmirësime, por rezultati i tyre duhet të pranohet.
“Këtu janë dy tendenca apo qëllime. I pari që në zgjedhje duhet të ketë përmirësime, për ajo cfare angazhohet edhe PDK-ja. Qëllimi i dytë dhe i paqëndrueshëm është ai që humbësit t`i kontestojnë ato”, tha ai.
Duke komentuar idenë për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, Kuçi tha se i takon PDK-së si parti fituese që të vendos për llojin e qeverisë. Megjithatë, ai la të kuptohet se PDK nuk preferon një qeveri të tillë.
Kuçi e quajti logjikë anarkiste kontestimin e rezultateve si dhe kontestimin e legjitimitetit të institucioneve që do të krijohen në përfundim të procesit zgjedhor.
PDK dhe aleatët, sipas Kuçit, do të arrijnë që dy javë pas certifikimit të zgjedhjeve të krijojnë institucionet e reja të vendit. Ai shprehu bindjen se PDK do të sigurojë vota për qeverinë edhe nga disa deputetë të partive që nuk do të jenë pjesë e qeverisë.