E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK shkel ligjin me kandidimin e Agim Çekut

Partia Demokratike e Kosovës sapo ka zyrtarizuar kandidatin e saj për garën në komunën e Prishtinës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Ai është ish kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, dhe ministri aktual i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Opinionet për këtë kandidaturë të papritur janë nga më të ndryshmet, por përtej komenteve, portali Almakos zbulon se kjo kandidaturë është në ndesh me ligjet në fuqi.

Derisa në biografinë personale të Agim Çekut si vend i lindjes figuron qyteti i Pejës, sipas të dhënave që gjinden në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çeku, i lindur me 29.10. 1960 – të dhëna të njëjta me ato zyrtare, është banor i komunës së Fushë Kosovës dhe votues në qendrën e votimit 0901E.

Përndryshe, sipas ligjit për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, kandidati i një partie duhet të jetë banor i asaj komune në të cilën garon të paktën për tre vite. Respektivisht, ai nuk mund të jetë votues në një komunë tjetër, shkruan almakos.
Konkretisht, sipas nenit 9, Zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave 9.2 Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të kualifikohet sipas nenit 30 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe për së paku tre (3) vite duhet të ketë qenë banor i komunës në të cilën ai apo ajo është duke garuar për t’u zgjedhur si Kryetar i Komunës.

Me kandidimin e Agim Cekut si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, del se partia e Hashim Thaçit e ka thyer ligjin për zgjedhjet e kryetarëve të komunave, përkatësisht nenin 9.2./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›